Kore, trageti nuk dislokoi varkat e shpëtimit

17/04/2014 00:00

Trageti i fundosur në ujrat e ftohta koreano-jugore ka pasur 46 varka shpëtimi, por vetëm njëra prej tyre është dislokuar, bën të ditur një raport, i cili nuk është mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nga CNN. Por, nëse rezulton i vërtetë, ai do të shtojë irritimin e familjeve, që po presin për të dëgjuar për fatin e 287 pasagjerëve, ende të zhdukur në det.

Videoja e publikuar fillimisht nga JTBC tregonte të paktën 12 prej kapsulave të bardha, ku vendosen varkat e shpëtimit, ishin ende të bashkangjitur me tragetin, edhe pse ai vazhdon të jetë i përmbysur në njërin krah në det.

Më shumë se 24 orë kanë kaluar që kur trageti prej 6800 ton u mbyt në det mëngjesin e së mërkurës. 9 persona rezultojnë të vdekur, ndërsa të paktën 179 të tjerë janë shpëtuar. Por, askush nuk di nëse 287 personat e zhdukur janë gjallë, ndoshta në anije, apo nëse ata kanë rënë në ujrat e ftohta prej afro 10 gradë celcius.

Kapiteni i tragetit shpërtheu në lot, kur u pyet nëse kishte diçka për t’i thënë familjarëve të pasagjerëve të humbur. “Më vjen keq, nuk kam fjalë për të shprehur në këtë moment”, tha kapiteni Lee Joon Suk. Ai tha se përballet tashmë me akuzat e neglizhencës dhe vrasjeve aksidentale, teksa u shfaq me kokën dhe fytyrën e mbuluar në stacionin e Rojes Bregdetare.

Kore, vijojnë kërkimet për të zhdukurit e tragetit
Një ditë më parë, mbi 290 persona të zhdukur, shumica studentë, nga përmbysja e tragetit

Zhytësit në Korenë e Jugut rifilluan të enjtën kërkimet për 290 persona, pjesa më e madhe adoleshentë, që figurojnë të zhdukur prej 24 orësh, pasi një traget me të cilin ata po udhëtonin u fundos pranë një ishulli në brigjet jugore të vendit.

Zyrtarët e rojes bregdetare thonë se gjashtë vetë konfirmohen të vdekur dhe se 179 të tjerë janë shpëtuar.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet përnjëherësh, pasi të fillojnë kërkimet brenda tragetit të zhytur në thellësi 32 metra. Zyrtarët njoftojnë se ujrat, me temperaturë 12 gradë celcius, mund të shkaktojnë vdekje brenda disa orësh nga ulja e temperaturës së trupit.

Dhjetra helikopterë dhe anije, përfshirë një anije amfibe të marinës amerikane, janë përfshirë në një operacion masiv kërkimi dhe shpëtimi.

Trageti Sewol u nis nga një port në perëndim të Seulit, të martën në mbrëmje. Ende nuk është zbuluar shkaku i fundosjes.

Top Channel