Ukrainë, ushtria hyn në qendër të Kramatorskit

16/04/2014 00:00

Trupat ushtarakë ukrainas, të dërguar për të rimarrë vendndodhjet e pushtuara nga milicia pro-ruse gjatë ditëve të fundit, ka mundur të futet në qendër të Kramatorsk-it.

Pista ajrore e qytetit është vënë sërish në kontroll të martën, pasi presidenti i përkohshëm ukrainas shpalli “operacionin anti-terror”.

Mjetet e blinduara të personelit në qytet u bllokuan nga vendasit pro-rusë, të cilët kanë dashur të flasin me ushtarët. Tensionet janë rritur së tepërmi, që kur presidenti i Rusisë, Putin, e paralajmëroi Ukrainën se “ishte në prag të luftës civile”.

Putin i bëri këto komente në një telefonatë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, pasi presidenti i përkohshëm Oleksander Turchynov njoftoi nisjen e operacionit të martën.

Zyrtarët rusë thanë se të dy liderët “theksuan rëndësinë” e bisedimeve të planifikuara për të enjten, mes diplomatëve më të lartë nga Rusia, BE, SHBA dhe Ukraina.

Gjithsesi, zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë kanë akuzuar Rusinë se gjendet pas aktivisëve pro-rusë në rajon. Moska ka mohuar se është nxitësja e trazirave.

Shefi i anti-terrorizmit në Ukrainë, gjeneral Vasyl Krutov, duke folur për reporterët nga aerodromi i Kramatorsk-it, theksoi se individë të armatosur kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në Ukrainë.

“Duhet të përballemi me një kundërshtar tepër serioz, tepër të aftë dhe shumë profesionist”, tha ai sipas agjencisë ukrainase të lajmeve, Interfax. “Ata shfaqin një përgatitshmëri të nivelit të lartë, taktik dhe praktik. Këta njerëz mund të kenë qenë në pikat kyçe të ndezura anembanë botës, por edhe në terroritorin e tyre”.

Aneksimi, muajin e kaluar, i Krimesë nga Moska u parapri nga prezenca e njerëzve me uniformë dhe të armatosur që besoheshin se ishin trupa rusë, megjithatë në një numër më të madh se sa ata që janë njësoj të veshur dhe të armatosur, të cilët ndodhen aktualisht në Ukrainën lindore.

Kremlini ka dënuar operacionin e ushtrisë ukrainase në lindje të Ukrainës si një “kurs anti-kushtetues për të përdorur forcën ndaj veprimeve të protestuesve paqësorë”.

Ministria e Jashtme ruse ka shprehur “shqetësim të madh” ndaj raporteve për të vdekur në Ukrainën lindore, por ende këto raportime nuk mund të konfirmohen.

Top Channel