BE, tjetër ndihmë Ukrainës

15/04/2014 00:00

Këshilli i BE-së vendosi t’i vijë në ndihmë Ukrainës me 1 miliard euro të tjera (1,6 gjithsej) për t’i mundësuar buxhetit të shtetit shlyerjen e pagesave urgjente, stabilitet ekonomik dhe reformë strukturore në vend.

Të mbledhur në Luksemburg, 28 ministrat e Mbrojtjes diskutuan gjatë drekës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, mbi efektet e krizës në Ukrainë.

“I bëj thirrje Rusisë për uljen e tensioneve, të tërheqë trupat nga kufiri i Ukrainës, të ndalojë destabilizimin e situatës në Ukrainë dhe të bëjë të qartë se nuk mbështet veprimet e dhunshme të separatistëve pro-rusë. Rusia duhet të ndalojë të qenurit pjesë e problemit, e të fillojë që të jetë pjesë e zgjidhjes”, deklaroi Anders Fogh Rassmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

“Ne presim me padurim takimin e Gjenevës, të enjten, ku unë do të përfaqësoj Bashkimin Europian. Kemi qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm Lavrov, para pak ditësh, për të folur rreth këtij takimi, sikundër dhe me SHBA-të dhe Ukrainën. Qëllimi i këtij takimi është për të ulur tensionet e për të qetësuar situatën në Ukrainë, por dhe se si të sigurojmë që ky shtet sovran të ecë përpara, në interes të gjithë popullit të vet”, tha Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së.

Konkluzionet e BE-së i bëjnë thirrje Rusisë, jo vetëm për tërheqjen e menjëhershme të trupave nga kufiri, por dhe për të dhënë dorëheqje nga Këshilli i Federatës, që të mos përdorë forcë në tokën ukrainase.

Ndërkohë që, ngrin pasuria e katër personave të tjerë, të gjykuar si përgjegjës për shpërdorimin e fondeve shtetërore ukrainase, të cilët iu shtuan listës së sanksioneve të BE-së, që zbatohet edhe nga Shqipëria.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Raporti i OKB, për deklaratat e rusëve në Krime

“Rusët etnikë në lindje të Ukrainës bënë deklarata të pavërteta, kur thanë se janë sulmuar, me qëllimin për të justifikuar përfshirjen e trupave ruse”.

Raporti i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut u bë pas dy vizitave në Ukrainë të Ndihmës/sekretarit të Përgjithshëm, Ivan Simonoviç. Sipas dokumentit, megjithëse pati sulme kundër komunitetit rus, ato nuk ishin as sistematike dhe as të përhapura.

“Raporti thotë se ne nuk kemi asnjë fakt të besueshëm, që do të justifikonte shqetësimet nga ana e popullsisë rusisht-folesë të Ukrainës”, u shpreh Gianni Magazzeni, kreu i Departamentit të OHCHR për Europën.

Raporti, që analizon ngjarjet e 2 Prillit, shpjegon se “përkrahësit e aneksimit të Krimesë nga Rusia, përdorën në mënyrë sistematike keqinformimin dhe ekzagjeruan për të krijuar një klimë frike dhe pasigurie”.

Përmes dokumentit bëhet thirrje: të zbatohet ligji, të respektohen të drejtat e njeriut dhe t’i jepet fund të ashtuquajturës “gjuhë e urrejtjes”, siç është retorika nacionaliste, dhe mbështetjes për urrejtjen racore apo fetare.

Në Krime, gadishulli që vendosi më 16 Mars t’i bashkohet Rusisë, ka pasur “akuza të besueshme” – siç shkruhet në raport – për kanosje, arrestime arbitrare dhe tortura, duke vënë në shenjestër aktivistët dhe gazetarët, të cilët nuk e përkrahën referendumin.

Sipas raportit, është vlerësuar gjerësisht se rusisht-folësit nuk kanë qenë subjekte të kërcënimeve.

Top Channel