Maqedoni, BDI nuk ndryshon qëndrim

14/04/2014 00:00

Qëndrimi i BDI-së mbetet i pa ndryshuar edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që zhvillohet më 27 Prill. Kjo parti apelon që shqiptarët të mos votojnë asnjërin nga dy kandidatët presidencialë.

Këtë e ka bërë të ditur lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka thënë se ideja e partisë së tij për një president konsensual në Maqedoni është më e dobishme për vendin, se sa votimi për njërin nga kandidatët e njëashëm presidencialë të dy partive maqedonase.

“Mosdalja e shqiptarëve më 13 Prill demonstron një përkrahje të fortë për një ide kombëtare mbipartiake, se në këtë vend kërkohet ndryshimi”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se mbështetja që mori partia e tij një ditë më parë, përkundër presionit të BDI-së ndaj shqiptarëve për të mos dalë në votime, dëshmon se PDSH-ja është një forcë e madhe politike në vend. Ai pret që, në zgjedhjet parlamentare të 27 Prillit, partia e tij të sigurojë deri në 14 mandate deputetësh.

“Të gjitha parashikimet tona dolën: edhe të rezultatit, edhe të kësaj situate të jashtëzakonshme të votimeve, kur kishte trysni dhe presione të ndryshme. Ne jemi në një situatë shumë të favorshme, ku u tregua se PDSH-ja është një forcë shumë e madhe, një strukturë jashtëzakonisht e fuqishme, dhe unë parashikoj që këto vota, shumë shpejt për dy javë, do të konvertohen në 13 apo 14 deputetë”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndërkohë, që nga dita e hënë, partitë politike në Maqedoni kanë vijuar me fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe raundin e dytë presidencial, që mbahen më 27 Prill.

Top Channel