Lulzim Xhafa, 17-vjeçari që përfitoi nga aminstia

14/04/2014 00:00

Nuk ka mbushur ende 18 vjec, por duket se mbi kurriz i kanë rënë të gjitha hallet e botës. Është burrëruar para kohe. Jeta nuk ka qenë fort e lehtë për të.

Lulzim Xhafa është i riu nga Rrogozhina i cili pak ditë më parë përfitoi nga amnistia në burgje. I dënuar me 2 muaj heqje lirie për vjedhje, të premten e kaluar ai iu rikthye jetës në lagjen thuajse të izoluar të ketij qyteti, ku anëtarët e një fisi bashkëjetojnë në kushte të tejskajshme të varfërisë.

Me kokën ulur dhe ende i turpëruar pas daljes nga burgu, Lulzimi thotë se gjendja e vështirë ekonomike e detyroi të vidhte. Ai thotë se në qytetin ku jeton është e pamundur të punësohet si bashkëmoshatarët e tij.

“S’ka punë fare. S’të merr njeri për punë. Kam tentuar, por s’me marrin”, thotë ai.

I frikësuar për rrjedhën që do të marrë tani jeta e tij, Lulzimi thotë me gjysmë zëri se nuk do të rikthehet më kurrë në qeli.

“Nuk do dilja për të vjedhur më. Familja mbështjell kanaçe, me ato ushqehemi”, shton Lulzimi.

Kushtet ekonomike dhe sociale të këtij komuniteti nuk lënë shumë hapësira që të rinjtë të bëjnë një jetë më të sigurt dhe të qëndrojnë larg telasheve. Anxhela, motra 10-vjecare e Lulzimit sapo është kthyer nga një ditë e lodhshme pune, ku për të mbijetuar i duhet të mbledhë e të shesë kanaçe.

Këmbana e alarmit bie edhe për të, pasi vajza e vogël nuk e ka me qejf shkollimin dhe të vetmet shoqe që ka janë kushërirat e saj. Edhe për të jeta nuk ofron shumë zgjedhje.

“Dal mbledh kanaçe nëpër kosha ditë për ditë. Nuk kam shkuar asnjëherë në shkollë. Më ka thënë mami shko, unë s’doja”, rrëfen Anxhela.

Kjo është përditshmëria e Lulzimit dhe Anxhelës. I pari mes tundimit për të mos rënë më pre e dënimit, ndërsa motra e tij, duke shijuar disa caste të fëmijërisë së saj, pas disa orësh pune të rëndë.

Top Channel