Gara në PD, prezantohet Grida Duma

13/04/2014 00:00

Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi fillimin e proceseve zgjedhore brenda PD-së, kjo seli është prezantuar me një figurë të re.

Ajo është Grida Duma, që nga Partia Demokratike është prezantuar si koordinatore për marrëdhëniet me publikun, duke marrë detyrën që deri tani ka pasur Silvi Bardhi.

Nën logon e PD-së, Grida Duma nuk ka folur për emërimin e saj, por për një ngjarje në qytetin e Korçës.

“E vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë dje fund jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë, si jo në të vetmin rast. Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta. Pas një terrori psikologjik dhe në dëshpërim e sipër, nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngonte në shtrat u vetëhelmua. PD akuzon dyshen Rama-Meta dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës, që po shkarkojnë çdo ditë e më tepër shpresë nga shqiptarët dhe janë përgjegjës për ndarjen nga jeta të Bruna Mekos”, ka thënë koordinatorja Grida Duma.

Më herët, Grida Duma ka shfaqur ambicie për t’u bërë pjesë e strukturave të reja të PD, por kjo seli nuk ka bërë ende të ditur, nëse zonja Duma është apo jo anëtare e kësaj force politike.

Top Channel