Në kushtet e një afati ultimativ nga mazhoranca për të ofruar
bashkëpunim në realizimin e reformës territorale, kreu i opozitës Lulzim
Basha tha se kjo reformë kërkon konsensus dhe nuk mund të bëhet vetëm
me votat e mazhorancës.

“Reforma e pushtetit vendor dhe rindarja territoriale kërkon konsensus të plotë politik. Këtë nuk e them unë, as opozita, kështu është bërë gjithnjë. Përpjekja për t’i ikur konsensusit është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme për vetë reformën, por edhe për situatën politike në vend, sepse është refuzim i bashkëjetesës demokratike. Eshtë një hap që përkeqëson bashkëjetesën demokratike në këtë vend, ndaj insistojmë tek konsensusi dhe i bëjmë thirrje të reflektojnë dhe të japin konsensusin”, tha Basha.

Duke iu referuar mbeshtetjes se 50 projekteve lokale me nje fond prej 100 milionë dollaresh nga Qeveria, Basha tha se projektet jane perzgjedhur ne menyre selektive për njësitë vendore, duke përjashtuar ato që drejtohen nga të djathtet.

“92 për qind e fondeve, si me magji, i janë dhënë vetëm njësive vendore me të zgjedhur të majtë, ndërsa njësitë e tjera kanë vetëm 8 për qind të fondeve. Edhe regjimi i Apartejdit në Afrikën e Jugut, kishte një proporcion më të drejtë. Problemi mesa duket është qëndrimi dhe mentaliteti i Kryeministrit, i cili nuk i shikon problemet e qytetarëve, si nevoja dhe përparësi për t’u zgjidhur, por si përpjekje për kapital politik”, tha Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka bërë këto deklarata gjate inaugurimit të unazës që fillon nga rruga nacionale Tiranë- Fushë-Krujë dhe vijon nga ish-Fabrika e Tullave e deri tek reparti ushtarak 3030. Projekti per ndertimin e kesaj ka nje kosto prej 115 milionë lekesh.

 

Top Channel