Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat të mbajtur pasditen e së shtunës ka njoftuar se grupet e punës në këtë parti kanë përmbyllur procesin e anëtarësimeve dhe se gjithçka është gati për zgjedhjet në strukturat e saj.

“Ju bëj me dije qytetarëve se sot PD ka numrin më të madh të anëtarëve të rregullt në databazën e saj. Për mua si kryetar dhe për ata si anëtarë të vjetër e të rinj, ky është një lajm i gëzueshëm”, ka deklaruar Basha.

Duke njoftuar zgjedhjet në seksione, grupe seksionesh dhe degësh brenda PD-së, shefi i opozitës ka bërë gjithashtu me dije se ka dhënë udhëzime specifike për mbarëvajtjen e tyre.

“Duke pasur parasysh sfidat që kemi, kam lëshuar udhëzimin e posaçëm për organizimin e zgjedhjeve në PD dhe shndërrimin e tyre në një manifestim të madh të përgjegjësisë”, ka thënë Basha.

“Mirëqënie dhe dinjitet njerëzor është misioni ynë. Udhëzimi im garanton solidaritet, vlerësim të kontributeve dhe rezultate, qarkullim të elitave, njësoj si partitë popullore ku bëjmë pjesë. Le të nisim garën tonë”, ka theksuar ai.

Duke vlerësuar se, Shqipëria ka sot një opozitë më solide dhe një alternativë më solide ndaj qeverisjes Rama-Meta, Basha ka theksuar se, PD në opozitë u ngrit nga një humbje dhe tashmë po shkon më e vendosur se kurrë në misionin e saj.

“Falenderoj ata që rikonfirmuan anëtarësinë, ata që u rikthyen dhe ata që u bënë për herë të parë anëtarë të PD. Kjo është familja jonë, anëtarë si demokratë e njerëz të lirë. Por nuk mbaron me kaq, dyert do të mbeten të hapura”, ka shtuar Basha.

Top Channel