Rama me biznesin grek: Do shlyejmë borxhet

11/04/2014 00:00

Në një takim me biznesmenët grekë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, Kryeministri Rama ritheksoi vendosmërinë e qeverisë për të përmirësuar klimën e sipërmarrjes duke ndërmarrë hapa konkretë, sic ishte edhe vendimi për shlyerjen e borxheve të trashëguara.

Rama konfirmoi shifrat e bëra publike në Top Story nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe synimin për shlyerjen e këtyre borxheve brenda muajit qershor.

“Do të shlyejmë  borxhet dhe deri më tani kemi shlyer 200 mln dollarë dhe objektivi ynë është që të shlyejmë të gjithë volumin e parashikuar për këtë vit brenda muajit qershor. Jemi në bisedime me FMN për të rritur volumin e shlyerjeve në 6-mujorin e dytë të këtij vitit”, tha Rama.

Kryeministri u ndal tek vendimi i qeverisë për rimbursimin automatik të TVSH-së jo më larg se 60 ditë, si dhe u zotua për shlyerjen e TVSH-së së prapambetur për sipërmarrjen, ndërsa duke u ndalur tek Këshilli Ekonomik Kombëtar, strukturë pranë qeverisë, kreu i qeverisë tha se ky është një instrument në funksion të sipërmarrjes e cila nëpërmjet tij mund të paraqesë ankesat, vërejtjet dhe propozimet konkrete për politikat ekonomike pranë qeverisë.

Top Channel