PS: Kemi 84 votat për ndarjen territoriale

11/04/2014 00:00

Një dite pas deklaratës ultimative të kreut të grupit parlamentar
socialist Gramoz Ruçi, se mazhoranca do ta presë edhe një javë opozitën
dhe do ta miratojë vetë reformën territoriale, drejtues të tjere të
kesaj partie deklarojnë se reforma do të bëhet pasi ajo është e
domosdoshme.

“Nuk ka kohë më që të presim, por një orë e më parë ne duhet si Kuvend, si Komision i Posaçëm parlamentar të miratojmë ndarjen e re administrative të vendit, që do të thotë është mundësia e fundit që opozitës i themi: urdhëroni, ejani ta bëjmë bashkarisht këtë reformë shumë të rëndësishme të ndarjes territoriale”, tha Bashkim Fino, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale.

Ky apel që bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale e quajti mundësia e fundit për opozitën është përforcuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Ai vuri theksin vetëm tek një fakt, atë se Shqipëria ka 6 herë më shumë punonjës të ujësjellësave se mesatarja e BE-së dhe 6 herë më pak ujë se cdo vend i BE-së, për  të treguar si territori i copëzuar në njësi vendore është tërësisht jashtë cdo funksioni.

Shefi i qeverisë kujtoi se kontratën e ka me qytetarët, përballë të cilëve, tha ai, ne do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme duke iu përmbajtur asaj pikë për pikë.

“Ne, pa as më të voglin dyshim duam ta bëjmë bashkë me opozitën, për këtë arsye kemi kaq kohë që e presim opozitën, po nuk po e presim duarkryq, por ndërkohë po punojmë intensivisht edhe me komunitetet falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi marrë nga partnerët dhe nga donatorët, por ne jemi votuar në 23 qershor që të udhëheqim dhe populli shqiptar na ka hequr çdo alibi të mundshme për katër vite më pas, sepse na ka dhënë shumicën e cilësuar me të cilën ne mund, duhet dhe do të bëjmë reformën territoriale dhe do të bëjmë dhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat vazhdojmë të presim me durim, por nuk do të presim pa fund, siç është reforma në drejtësi”, tha Rama.

Deklaratat për reformën territoriale, prej rreth 3 muaj e bllokuar në Kuvend, u bënë gjatë prezantimit të përfundimit të fazës së parë të projekteve fituese të njësive vendore. E konsideruar si nisma më e madhe e mbështetjes nga një qeveri për projekte të pushtetit vendor, fondi prej 100 milionë dollarë do të shkojë për 50 projekte të ndryshme në të gjitha qarqet e vendit, projekte që kanë të bëjnë me rehabilitimin e qendrave të qyteteve, hyrjeve të tyre, shesheve, kendeve sportive, zonave turistike e atyre informale.

Për numrin dy të qeverisë, që ka udhëhequr procesin e përzgjedhjes së projekteve, për vite me radhë mungesa e projekteve për shumë rajone të vendit ka shkaktuar braktisjen e tyre.

“Rreth 100 kantiere të reja pune do të fillojnë nga sot, qindra biznese ndërtimi dhe biznese shërbimesh të lidhura me to do të fillojnë sot të kenë një treg dhe një frymëmarrje të re, mijëra vende pune të reja do të hapen përmes këtyre projekteve gjatë vitit 2014”, tha zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Ndërsa kreu i qeverisë vuri theksin se si edhe qytetet muzeale që mund të ishin gjeneratorë dhe motorë të zhvillimit dhe turizmit, për dekada me radhë nuk kanë njohur asnjë investim. Duke sjellë shembuj si Berati dhe Gjirokastra, që investimet e fundit i kanë pasur respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, Edi Rama tha se në këto qytete do të investohet sa nuk është investuar në 20 vite.

“Do të fillojmë të rindërtojmë qytetin e vjetër, duke rindërtuar 30 rrugë brenda në qytet që praktikisht po zhduken, rrugë kalldrëmi dhe padyshim duke i dhënë mundësi zanateve tradicionale të mos vdesin pas kësaj agonie të gjatë”, tha Rama.

Duke theksuar se si shumë prej projekteve do rigjallërojnë jetën në shumë qytete të vogla të vendit, prej vitesh të mbetura pa zhvillim, kreu i qeverisë bëri të qartë në respektimin e afateve të punimeve, në të kundërt, tha ai, do të përballen me anulimin e tyre.

Top Channel