Kodheli: Prokuroria të hetojë Imamin

11/04/2014 00:00

Një ditë pas deklaratës se ish-ministrit të mbrojtjes në Parlament se
opozita ka prova se infrastruktura e Ushtrisë Shqiptare përdoret për
trafikimin e lëndëve narkotike, Ministria e Mbrojtjes i është drejtuar
me një letër Prokurorit të Përgjithshëm, duke kërkuar që të nisë hetimet
mbi këto akuza të renda.
 

Arben Imami, në deklaratën e një dite më parë në Kuvend u shpreh se “infrastruktura ushtarake e një ushtrie të NATO-s po përdoret rregullisht për infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike dhe për këtë duhet të vijë dhe të japë përgjigje ministrja e Mbrojtjes”.

Një ditë më pas ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, përmes zëdhënëses së saj.

“Ministria e Mbrojtjes i bën me dije opinionit publik se këtë të premte ka depozituar pranë Prokurorisë së Përgjithshme një letër, në të cilën i kërkon kryeprokurorit të përgjithshëm të nisë hetimet, në lidhje me akuzat e thëna në Kuvend, nga deputeti i Partisë Demokratike, zoti Arben Imami. Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, bazuar tek Kushtetuta dhe tek ligjet e vendit, ministrja Kodheli, kërkon zbardhjen e plotë të këtyre akuzave të rënda të hedhura në drejtim të Forcave të Armatosura. Ministria e Mbrojtjes garanton se në çdo moment do të bashkëpunojë me organet e Prokurorisë dhe do të verë në dispozicion të gjitha materialet e kërkuara dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky instituconet do të kërkojë në lidhje me zbardhjen e pltoë të këtyre akuzave”, njoftoi zëdhënësja.

PD: Kodheli të japë shpjegime

Partia Demokratike i bën thirrje Ministres së Mbrojtjes të mos fshihet pas deklaratave mediatike por të bëjë transparencën mbi përgjegjësitë e institucionit që drejton në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, nëpërmjet vënies në dispozicion të infrastrukturës së forcave të armatosura. Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar për këtë dhe për dëmtimin e rëndë që i bëhet reputacionit të vendit në sytë e aleatët tanë euroatlantikë. Deri në këtë moment Ministrja e Mbrojtjes ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje. Në këto kushte, ne i kërkojmë zonjës Ministre të Mbrojtjes, të shprehet qartë:

1- A është ajo në dijeni të shqetësimit për përdorim të mundshëm të  infrastrukturës së forcave të armatosura në trafikun e drogës?
2- A ka informacion ajo se si ka ndodhur që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit, pjesë e NATO-s, është përdorur në trafikun e drogës?
3- Çfarë masash ka marrë ajo përballë këtyre ngjarjeve të rënda?

Ne i kërkojmë zonjës ministre të bëjë publike sa më shpejt informacionin që ajo ka. Kjo do të ishte në shërbim të interesit publik, transparencës, në shërbim të forcave të armatosura dhe të shtetit shqiptar”, deklaroi deputeti i PD-sw, Aldo Bumçi.
 

Top Channel