Përplasje për deklaratën e PE

10/04/2014 00:00

Mund të konsiderohet koha më e gjatë që i ka marrë Parlamentit debati për miratimin e kalendarit trejavor. Opozita, në kushtet e vendimit për marrëdhënie të kushtezuara me Kuvendin, ka shfrytëzuar këtë pikë të proçedurës për të debatuar me mazhorancën rreth gjashtë orë.

Miratimi i deklaratës së përbashkët nga Kuvendi i Shqipërisë, kërkuar nga Parlamenti Europian, që i paraprin vendimit për statusin e vendit kandidat në qershor, është shndërruar në akuzën e radhës mes palëve. “Nëse nuk e marrim statusin përgjegjësia është krejtësisht e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri”, deklaroi deputeti Aldo Bumçi.

Por kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi kujtoi se deklarata që duhet të firmoset nga palët është hartuar nga Parlamenti Europian dhe ftoi opozitën të bëhet bashkëpunuese. Afati që politika shqiptare ka në dispozicion për të treguar se është bashkë në interes të integrimit, është dita e hënë, kur Parlamenti Europian shpërndahet në prag të zgjedhjeve të reja.

“E kuptoni se ça kushti vendosni ju? Të kthehet Zana Xhuka në detyrë? Ça lidhje ka kjo me deklaratën e përbashkët që Parlamenti Europian na kërkon”, u shpreh Ruçi.

Debati për kompetencat e presidentit
Kodheli: Nuk po cënojmë institucionet. Imami: Ushtria transporton drogë

Por opozita këmbëngul se mazhoranca po dhunon institucionet e pavarura, duke sjelle si shembull atë që ajo e cilësoi si “marrjen e kompetencave të presidentit të Republikës” në projektligjin e ri për forcat e armatosura, ku ish-ministri Arben Imami artikuloi edhe një akuzë të rëndë në drejtim të tyre.

“Për çfarë kompetencash të presidentit ankoheni ju? Ju, megjithëqë ishte shkruar në dokumentin e rishikimit strategjik, që vlerësonte SHQUP-in si një ndër tre aseset themelore të burimeve të Mbrojtjes, kishit harxhuar 250 mijë euro vetëm për projektin. Para, që ministri paraardhës tha që PD-ja do t’ia kthejë qeverisë”, deklaroi ministrja Mimi Kodheli.

“Nëqoftëse ka një gjë që mund të na largojë nga NATO është ajo që po ndodh sot, infrastruktura ushtarake e një ushtrie të NATO-s po përdoret rregullisht për infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike. Për këtë dua të vijë dhe të japë përgjigje ministrja këtu”, replikoi ish-ministri Imami.

“Kujdes me deklaratat, se këtë herë përfshihet edhe NATO”, ndërhyri kryetari Ilir Meta.

“Të bëjmë një deklaratë të përbashkët që hetimi për ty të shkojë në gjykatë, se ke tre akuza penale”, u përgjigj më pas në adresë të Imamit deputeti socialist Taulant Balla.

Top Channel