Tiranë, INUK bllokon bulevardin e ri

20/03/2014 00:00

Tensionohet sërish situata ndërmjet banorëve dhe policisë bashkiake për punimet që kanë nisur për zgjatimin e bulevardit të ri. Banorët protestojnë pasi nuk pranojnë çmimin me të cilin kërkon t’i kompensojë Bashkia e Tiranës.

Ndërkohë, Inspektroiati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka pezullur sërish të enjten vijimin e punimeve. Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi garantoi banorët se asnjë shtëpi nuk do të shembet pa u shpronësuar më parë, duke deklaruar se në buxhetin e bashkisë është parashikuar një fond i pamjaftueshëm për kompensim.

“Fondi i shpronësimeve nuk është i mbuluar. Ai është parashikuar nga qeveria e mëparshme me një vlerë prej 1.7 miliardë lekësh, ndërkohë që ka ardhur i copëtuar në një vlerë prej 500 milionë lekë të vjetra. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Bashkia e ka kthyer këtë në betejë politike”, deklaroi Vorpsi.

E ka pasur disi të vështirë nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo, i cili bashkë me drejtorë të sektorëve të ndryshëm në bashki kanë mbërritur në vendngjarje për t’u prononcuar në lidhje me këtë konflikt, pasi ka hasur rezistencën e banorëve. Bozdo ka deklaruar se do të ngrejë padi penale ndaj INUK, ndërkohë që e konsideron vendim për pezullimin e punimeve politik.

“Nuk mjafton vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta bindur INUK-un dhe drejtuesit politikë të tij që nuk mund të ndërhyjnë. Nuk mjafton vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e punimeve. Por ky nuk është problemi i INUK. Problemi është i Edi Ramës, që drejton një qeveri bandite që nuk njeh as ligj, as të drejtë dhe as interesa të qytetarëve”, deklaroi Bozdo.

Nënkryetari i bashkisë tha se dhe banorët janë të nxitur nga qevria që të zhvillojnë protesta, ndërkohë që është në dorë të saj të kënaqë kërkesat e banorëve me çmimin që ata kërkojnë për t’u kompensuar.

Top Channel