Gjermania, shqetësim nga azilkërkuesit

19/03/2014 00:00

Ambasadori gjerman në Shqipëri, gjatë një deklarate për shtyp në Ministrinë e Brendshme tha se rritja e ndjeshme e kërkesave për azil në Gjermani ka krijuar një shqetësim për autoritet gjermane.

Përfaqesuesi diplomatik gjerman në vendin tonë tha se, shteti i tij jep vetëm azile politike dhe se nga Shqipëria mbërrijnë vetëm emigrantë ekonomikë.

“Sa më shumë emigrantë eklonomikë vijnë, aq më e vështirë bëhet situata edhe për ata që mund të jenë të përndjekur politikë. Nga Shqipëria vetëm një në 100 raste mund të përfitojë azil”, deklaroi Helmut Hoffman.

Ndërsa zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea i bëri thirrje të gjithë aplikantëve për azil se do të penalizohen me ndalimin në hapësirën Shengen nga 1 deri në 5 vjet dhe se do të intervistohen për të penalizuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në kërkesat e tyre.

Gjithashtu, zonja Gjebrea bëri me dije se për të gjithë ata që do të lëvizin fëmijët e tyre drejt vendeve të BE-se dhe që nuk i rikthejnë në atdhe apo u ndërrojnë destinacion, do të proçedohen penalisht për braktisje të fëmijëve.

Top Channel