Pse jam dakord me Aldo Bumçin për 21 Janarin

16/03/2014 00:00

Andrea STEFANI – Çështja e krimit të 21 janarit është shfaqur përsëri, si tregues sinjifikativ i mungesës së shtetit ligjor në Shqipëri, edhe në takimin e Komitetit të Shtatë të Stabilizimit mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë që u zhvillua në Strasburg.

Mësohet se eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, gjatë diskutimit për disa probleme të pazgjidhura, ka ngritur edhe çështjen e masakrës së ndodhur gjatë protestës së 21 janarit kur, para dritareve të zyrës së ish-kryeministrit Berisha u vranë me plumba luftarakë katër civilë dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas Fajon është e papranueshme që akoma nuk ka autorë të ndëshkuar për krimin e vrasjes së protestuesve më 21 janar. Por mësohet se edhe deputeti Bumçi është shprehur dakord për ndëshkimin e shkaktarëve të vrasjeve më 21 janar. Dhe në këtë pikë nuk mund të mos jemi dakord me të. Por puna është se në lidershipin e PD, nuk ndihet ndonjë vullnet për një gjë të tillë.

Në fakt, një krim si ai i 21 janarit i mbetur pa ndëshkim, nuk mund të mos jetë simbol i dështimit të shtetit ligjor. Nëse më 21 janar u vranë katër qytetarë, mosndëshkimi i këtij krimi është baras me vrasjen e shtetit. Pandëshkueshmëria në këtë rast është edhe dështim i krejt shoqërisë shqiptare, ku vrasja e protestuesve paqësorë, një krim i denjë vetëm për diktaturat dhe diktatorët, thuajse fiton të drejtën e qytetarisë si një krim që mund të kalojë i pandëshkuar pa shkaktuar ndonjë traumë politike apo sociale. Duket se jo pak njerëz në Shqipëri nuk e kuptojnë se tolerimi i krimit të vrasjes së njerëzve nga qeveria, është investimi më i keq që ata bëjnë për të sotmen dhe të nesërmen e vendit. Është mungesë përgjegjësie jo vetëm për jetën e tyre, por edhe të fëmijëve të tyre. Pikërisht pse njerëzit, për empati humane por edhe vetëmbrojtje, nuk mund të tolerojnë këtë përbindshëzim të qeverive që vrasin, vështirë se gjendet vend i botës ku krimi i vrasjes së njerëzve, “harrohet” apo neglizhohet me mendjelehtësi antihumane e pse jo, deri kriminale. Ja, tani së fundi shikojmë se edhe në Turqi, njerëzit janë ngritur në protesta pas vdekjes së një djali që u plagos nga policia kohë më parë në një tjetër protestë. Ishte vetëm një viktimë dhe jo katër. Madje që nuk u godit me plumba luftarakë dhe drejtpërdrejt, si protestuesit në Tiranë, por thuajse rastësisht nga një predhë tymuese. Qe thuajse një aksident. E megjithatë dhjetëra mijë turq dolën në protestë pas vdekjes së viktimës. Mësohet se në këtë protestë janë vrarë edhe dy protestues të tjerë në përleshjet me policinë. Kanë dhënë jetën duke u kërkuar llogari qeverisë për jetën e një njeriu. Ndërsa në Shqipëri, ata që kanë përgjegjësi politike për vrasjen, Basha dhe Berisha, kanë paturpësinë t’u tregojnë shqiptarëve rrugën për nga duhet të ecin në të ardhmen. Ata që kanë bërë krimin më antieuropian, vrasjen e protestuesve, bëjnë kinse po shqetësohen për integrimin europian të Shqipërisë.

***

Shqetësimit të eurodeputetes Fajon i është kundërpërgjigjur deputeti i PD, Aldo Bumçi. Por si pa dashje ka theksuar shqetësimin e Fajon. Sepse edhe Bumçi ka kërkuar ndëshkim për 21 janarin. Dhe në këtë pikë nuk mund të mos jemi dakord me të. Por Bumçi nuk ka kërkuar ndëshkimin as të gardistëve që vranë dhe as të politikanëve që qëndronin pas tyre. Bumçi ka bërë përgjegjës Edi Ramën që, sipas tij, ka dashur të pushtojë Kryeministrinë më 21 janar. Në këtë këndvështrim Bumçi ka thënë: “Jemi dakord të dënohen organizatorët dhe financuesit e 21 janarit. Të dënohen nxitësit dhe autorët e dhunës”. Bumçi ka lënë të kuptohet se vrasjet kanë ardhur ngaqë Rama donte të pushtonte Kryeministrinë. Kjo është teza e Berishës, por megjithatë nuk na lejohet të paragjykojmë. Nëse kanë fakte se vërtet Rama ka dashur të pushtojë Kryeministrinë, duhet të ndëshkohet Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Por nëse nuk rezulton kështu, para drejtësisë duhet të shkojë Berisha, Basha dhe të tjerë që qëndrojnë prapa plumbave që vranë protestues.

***

Por duhet të bien dakord që çështja nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe gjykuar derisa të dalin fajtorët. Sepse gjëja më e rëndë është që masakra e 21 janarit, të mbetet e pandëshkuar jo vetëm penalisht por edhe politikisht. Krime të tilla, si vrasja e njerëzve nga ushtarët e qeverisë, para se të jenë penale, janë politike. Dhe meqenëse Bumçi është shprehur dakord të ndëshkohen fajtorët e 21 janarit, edhe ne jemi dakord të ndëshkohen fajtorët e 21 janarit. Po cilët janë fajtorët? Atë duhet ta gjejë drejtësia. Por që të ketë drejtësi për 21 janarin duhet, për shkak se drejtësia nuk e ka ende një vullnet të vetin, vullnet politik. Për shembull, duhet që edhe Berisha të jetë dakord të thellohen hetimet për zbulimin e fajtorëve. Dhe nëse Berisha beson, si edhe Bumçi, se nuk është fajtor por se fajtor për vrasjet është Rama, nuk kuptohet pse nuk kërkon thellimin e hetimeve nga komisioni hetimor parlamentar “Halimi”, si edhe nga prokuroria. Mos vallë Berisha ka frikë se mos dënohet Rama? Unë jam dakord me Bumçin, por me sa duket, nuk është dakord Berisha me të.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel