Më në fund u bë i njohur subjekti i ri politik i paralajmëruar nga ish-anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi.

Nisma për Kosovën është partia më e re politike, e cila u zyrtarizua të premten pasdite në një sallë të mbushur me simpatizantë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Nisma për Kosovën do të udhëhiqet nga Fatmir Limaj, ndërsa kryetar të Organit Kombëtar të kësaj partie, këshilli themelues zgjodhi kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Në fjalën e tij, Krasniqi shpalosi programin e këtij subjekti.

“Ne duhet të forcojmë shtetin tonë, sepse vetëm kështu do të zhvillojmë vendin, sepse vetëm kështu qytetari ynë kudo që të jetë do të jetë krenar e i dinjitetshëm në shtetin e vet. Nisma për Kosovën do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe materiale për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në terë vendin”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa kryetari Fatmir Limaj tha se kjo nismë nuk është thjesht një parti politike, por rikthimi i shpresës për qytetarët e Kosovës, se ndryshimi është i mundshëm.

“Nga sot Kosova do të ketë një nismë të re. Kjo nismë nuk është një parti më shumë, por është sinjal se ndryshimi në Kosovë është i mundshëm. Nisma për Kosovën në themelet e saj do të ketë parimet”, deklaroi Limaj.

Këshilli themelues i Nismës për Kosovën përbëhet nga Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Ilaz Sherifi, Izet Ibrahimi, Muharrem Kuçi, Imri Ilazi, Xhevat Bislimi dhe Sejdullah Hoxha. Ndërkohë që në ditët në vazhdim pritet të mësohen edhe emra të tjerë të politikës në Kosovë, të cilët iu bashkuan Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

Top Channel