Strategjia e punësimit 2014-2020

26/02/2014 00:00

Në kushtet kur tregu eshte mbushur me juristë, sociologë dhe mjekë,
Kryeministri Rama thesoi edhe njëherë vendosmërinë për ngritjen e
arsimit profesional në përgjigje të kërkesave të tregut të punës, për
profesionistë.

Kryeministri ishte ne ceremonine e prezantimit te Strategjise Kombëtare për Punësim e Aftësi 2014-2020.

“Të rrisim punësimin, ndër të tjera, duke rilindur arsimin profesional dhe duke e riorientuar gjithë përpjekjen në drejtim të arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri. Kjo strategji, besoj, një ndër gjërat më të rëndësishme ka pikërisht lidhjet e punësimit me arsimin profesional, diçka jo e re për botën e zhvilluar, por diçka e re për Shqipërinë”, tha Rama.

Me ndërlidhjen e arsimit profesional me punësimin, tha Rama, ne praktikisht krijojmë kushtet për te rritur mirëqenien individuale dhe shoqërore.

“Kjo strategji e punësimit sot që prezantohet vlen të shihet me vëmendje si një moment reflektimi dhe ndryshimi i kursit të qeverisjes ekonomike të këtij vendi, që konkretisht në shpërfaqjen e projektit strategjik do të thotë masa për ndërtimin e rrjetit të arsimti profesional, pa harruar, madje duke vënë fokusin tek zonat rurale”, tha Rama.

Ministri Erion Veliaj prezantoi shtyllat kryesore të Strategjisë së Re të Punësimit.

“E para, transformimi i shërbimeve dhe i programeve të punësimit; e dytja, rritja e cilësisë së arsimit dhe formimit profesional; e treta, përfshirja e grupeve në nevojë, kryesisht atyre që janë në zona rurale, atyre me aftësi të kufizuar; e katërta ngritja e një sistemi pune dhe kualifikimesh që është funksional. Ne duam të punojmë fort për të rritur imazhin dhe një nga objektivat më të rëndësishëm është të nisim orientimin për arsim profesional që në sistemin e shkollës 9-vjecare për të treguar të mirat për ata që diplomohen nga arsimi profesional”, tha Veliaj.

Kryeministri Rama theksoi se një tjetër sfidë e Qeverisë është të harmonizojmë legjislacionin e punës me legjislacionin e biznesit, politikat financiare me ato të punësimit.

Top Channel