Tokat bujqësore, PR kërkon shfuqizimin e ligjit 7501

25/02/2014 00:00

Propozimet e Partisë Republikane për ndryshime në ligjin për kalimin në
pronësi në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore kanë shkaktuar debate
të forta mes mazhorancës dhe kreut të PR-së, Fatmir Mediu, në mbledhjen
e djeshme të Komisionit të Ligjeve.

Nga ana e tij, Mediu kërkoi shfuqizimin e ligjit famëkeq për pronat 7501, i cili sipas tij, çështja e pronësisë ndodhet në një ngërç prej 20 vitesh. “Çështja e kardinalit dhe të pronësisë mbi tokën në bregdet ka 20 vjet që nuk zgjidhet dhe aktualisht ndodhet në një ngërç të shkaktuar për vite të tëra si nga zbatimi i ligjit 7501”, tha Mediu.

Por deklarata e kreut të PR-së ka sjellë dhe reagimin e deputetit socialist, Bashkim Fino, i cili i kërkoi llogari pse nuk u bë një gjë e tillë gjatë qeverisjes së djathtë, kur vetë Mediu ishte ministër. “Zoti Mediu ka katër muaj që ka ikur nga qeveria, ishte 8 vjet në pushtet ministër, pse nuk e ka bërë këtë amendament kur kishte mazhorancën e vet?”, tha Bashkim Fino. Por në mbrojtjen e tij ndaj kësaj deklarate, Mediu u shpreh se pavarësisht se ishte në qeveri, ai ka qenë kundër qeverisë me çështjet të cilat kanë ardhur ndesh me interesat e pronarëve.

“Unë kam qenë kundër edhe pse kam qenë pjesë e kësaj qeverie. Dua të them edhe njëherë tjetër se pavarësisht se në çfarë krahu politik bëjmë pjesë ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të vijë në një kuptim që asnjë konsensus, asnjë ligj nuk mund të cenojë të drejtat themelore të njeriut në mënyrë të veçantë të pronës private”, iu përgjigj Fatmir Mediu pyetjes së socialistit Bashkim Fino. Sa i përket nismës ligjore, republikanët kërkojnë kthimin e tokave bregdetare te pronarët e ligjshëm. Ata e kërkojnë tokën e tyre edhe në rastet kur është dhënë me tapi si, por edhe në ato raste kur toka mbrohet me ligj të posaçëm për zhvillimin e turizmit. Ndaj ata kanë paraqitur një amendim në Komisionin e Ligjeve mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore’ të ndryshuar”, që u prezantua nga kryetari i PR-së, Fatmir Mediu. Pas këtyre përplasjeve mes palëve, Komisioni i Ligjeve vendosi ta shtyjë në kohë projektligjin e paraqitur nga ana e kryerepublikanit Mediu.

 

Top Channel