Prishet konsensusi për TVSH-në

25/02/2014 00:00

Deputetët e opozitës në Komisionin e Medias dhe Arsimit kanë prishur konsensusin e arritur mbledhjen e shkuar për mënyrën e përzgjedhjes së 10-të kandidatëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.

Pas debateve në Komisionin e Medias, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza ka theksuar se jo vetëm është prishur konsensusi për motive tërësisht politike,  por është manipuluar edhe procesverbali i mbledhjes së shkuar, ku dëshmohej zyrtarisht për këtë konsensus.

“Nuk është zbardhur i plotë procesverbali dhe ka zbardhje në vende të caktuara të bisedave, të cilat shtrembërojnë thelbin e vendimmarrjes në mbledhjen e fundit që ishte arritja e konsensusit. Ne kemi dyshime të arsyeshme, që procesverbali i mbledhjes së kaluar është manipuluar dhe ne do të kërkojmë hetimin e procesverbalit, qoftë nga brenda Parlamentit, po qe e arsyeshme propozimi i një deputeti të maxhorancës ishte ta çonim dhe në Prokurori për ndjekje penale”, tha Peza.

Deputeti Peza ka theksuar se arsyeja politike që opozita u tërhoq dhe po pengon është largimi i zonjës, Zana Xhuka.

“Opozita u tërhoq nga ky qëndrim, për arsye të axhendës së tyre politike. Zoti Hoxha deklaroi në Komision se mbas shkarkimit të zonjës Zana Xhuka në seancën e fundit plenare të Parlamentit, opozita ka një tjetër axhendë politike, gjë që e detyron të shkelmonte këtë konsensus, që ne kishim arritur në mbledhjen e fundit”, tha Peza.

Deputet në mbledhjen e shkuar kishin rënë dakord që përzgjedhja e kandidaturave të bëhej përmes një formule ku opozita të sillte 20 emra dhe maxhoranca 20, deri sa të arrinin në kandidaturat finale. Por deputeti Luçiano Boçi tha se kjo formulë nuk u pranua.

Procesi ka ngecur tek gjetja e formulës së konsensusit politik, përcaktimi i një iste nga të dyja palët brenda kuadrit ligjor. Ne kemi propozimin tonë, i cili nuk pranohet nga maxhoranca që kërkon të vendosë edhe njëherë tjetër me forcën e kartonit edhe procedurën, edhe zgjedhjen e personave për Këshillin Drejtues të Radio Televizionit, kur ligji e përcakton qartë që brenda marrëveshjes politike duhet të ketë konsensus politik për zgjedhjen e pesë anëtarëve që zgjidhen në formë eliminimi nga maxhoranca dhe pesë nga opozita”, tha Boci.

“Eshtë hera e parë ndoshta në historinë e pluralizmit dhe të botës moderne demokrate, që një opozitë shkelmon konsensuset e ofruara nga maxhoranca, një opozitë ka një qasje militante në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të ri Drejtues dhe jo të depolitizuar siç në fakt do të ishte qasja e mazhorancave, zakonisht që duan t’i komandojnë politikisht institucione të tilla, siç është Radio Televizioni Publik Shqiptar”, tha Peza.

Deputetet e maxhoracës do të informojnë strukturat ndërkombëtare për situatën në të cilën po operon Komisioni i Medias dhe i Arsimit.

Top Channel