“Ballkani, me sytë nga BE”

25/02/2014 00:00

“Përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe të jetë pjesë e saj”. Kjo ishte tema e një leksioni të mbajtur nga kryeministri Edi Rama, i ftuar në Universitetin e Oksfordit, në Angli.

“Nëse Bashkimi Europian e ka kthyer vëmendjen e tij ndaj rajonit tonë, në veçanti për shkak të konflikteve të së shkuarës, – tha Rama, – ne, të gjithë bashkë; shqiptarët, serbët, malazezët, maqedonasit dhe të gjithë popujt e rajonit; duket t’i kthejmë sytë drejt BE-së, për projekte që lidhen me zhvillimin tonë, për një të ardhme më të mirë e më të begatë”.

“Europa nuk është një destinacioni jashtë nesh. Europa duhet të jetë dhe Europa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë, dhe më e rëndësishmja, përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat, mbi të cilat u themelua Europa, dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, tha Rama.

Në vijim, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se “demokracia është diçka, që ne kemi nevojë ta ndiejmë. Institucione shtetërore funksionale, që garantojnë liritë dhe mundësitë e barabarta. Kjo është pikërisht arsyeja, përse kur ishim në opozitë, ne e vendosëm integrimin në BE në zemër të programit tonë të ‘Rilindjes’, ndërkohë që sot, që jemi në qeveri, ky është prioriteti ynë numër një.

“Vendosmëria e vendit tim për t’iu bashkuar BE, lidhet me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Europian: që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë. Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm progresi dhe ndryshimi, në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur. Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuara, në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat”, shtoi Kryeministri.  

Ne e bëjmë punën që lidhet me BE, – tha Rama, në fund të leksionit, – me një dedikim të madh për një të ardhme më të mirë e më të drejtë për vendin tonë, rajonin tonë dhe Europën.

“Ne jemi të sigurt, që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’iu premtoj se, BE do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”, mbylli fjalën e tij Rama.

Top Channel