PD: Ndëshkim kolektiv në Dogana

24/02/2014 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se ka shkarkuar nga puna pa
asnjë motivacion 116 nëpunës të doganave shqiptare duke i zëvendësuar
ata me militantë partiakë.

Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka denoncuar atë që e ka cilësuar si ndëshkimin kolektiv në Dogana sipas një norme të caktuar nga partia në pushtet dhe pa asnjë shpjegim të argumentuar.

“Drejtuesit e degëve janë porositur të sjellin për shkarkim, 5 deri në 10 vetë, sipas normës që ka caktuar partia.Vendet bosh që janë krijuar, janë në dispozicion të kunatave, kunetërve, dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Qeveria po e kthen doganën shqiptare në një degë të Partisë Socialiste, dhe të oborrit familjar të qeveritarëve.Partia Demokratike ngre shqetësimin që kjo nuk është rruga e duhur për të marrë statusin e vendit kandidat. Kjo nuk është rruga e duhur sepse po politizohet një institucion i cili deri dje ka arritur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe ka ndikuar në rritjen e të ardhurave të qeverisë shqiptare”, tha Tabaku.

Top Channel