PD: Policia e lidhur me drogën

23/02/2014 16:00

Një dite pas arrestimit të një personi me 1 ton marijuanë në Gjirokastër, opozita akuzon se ai është një punonjës policie dhe me lidhje të ngushta me ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Sipas ish-ministri të Brendshëm, Flamur Noka, i arrestuari ka qenë pjesëmarrës në takimet elektorale të Tahirit dhe për këtë ka treguar edhe një fotografi.

I ndaluari i djeshëm nga Policia e Gjirokastrës, me një tonë marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga Rilindja, me precedentë penalë dhe një njeri i afërt i ministrit të Brendshëm”, akuzoi zoti Noka.

“Veçanërisht, në fushatën elektorale të tij, ku edhe shërbente si shoqërues i ministrit. Ja ku e keni foton e mitingut elektoral të zotit Tahiri, ku Tahiri është duke folur dhe i arrestuari për trafik droge është këtu”, tha Noka, duke treguar foton përkatëse.

“Duke përgëzuar forcat e Policisë Gjirokastër për aksionin e djeshëm, Partia Demokratike denoncon edhe një herë, lidhjen e Policisë së Shtetit me personat e lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës. Linja e trafikut të drogës, të lidhura direkt me ministrin, tashmë janë vendosur. Ky mekanizëm vërteton edhe një herë shqetësimet e forta të autoriteteve italiane dhe greke, për sasinë marramendëse të drogës, që po arrin nga Shqipëria në vendet fqinje. Ne i kërkojmë ministrit të Brendshëm që të publikojë lidhjen që ka me të arrestuarin dhe kur është takuar për herë të fundit me të. Ne i kërkojmë ministrit të Brendshëm t’i tregojë qyterarëve se cilat janë kriteret e vendosura për punësimin në Policinë e Shtetit të trafikantit të drogës, njërit prej çunave të tij të Kombinatit”, shtoi në akuzën e tij zoti Noka.

Top Channel