Kushtetuesja për “Nëpunësin Civil”

23/02/2014 15:00

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se qëllimisht ka bllokuar botimin në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykates Kushtetuese, e cila shfuqizoi aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil.

Partia Demokratike denoncon përpara opinionit publik mbajtjen peng dhe bllokimin nga qeveria të vendimit të Gjykatës Kushtuese, datë 5 Shkurt, që konsideroi antikushtetues aktin normativ për nëpunësin civil. Sot, kanë kaluar tetë ditë nga skadimi i afatit në 15 Shkurt dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të kryeministrit”, denoncoi deputeti Oerd Bylykbashi.

“Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi deri sa mazhoranca të votojë për anullimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë ta bëjë me ligj. Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, ligjit dhe gjykatës nga kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës përbën vepër penale dhe dënohet nga Kodi Penal. Përgjegjësi direkte për këtë mban drejtoresha e Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe ministri i Drejtësisë që e ka atë në varësi. Partia Demokratike siguron personat përgjegjës direkt, por edhe urdhëruesit e tyre, që ne do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedent”, shtoi deputeti i demokratëve.

Top Channel