Tiranë, del nga rruga autobusi

21/02/2014 00:00

Të paktën pesë pasagjerë të një autobusi udhëtarësh të linjës Elbasan-Tiranë u plagosën në një aksident të ndodhur 8 km nga kryeqyteti, ndërsa disa të tjerë u lënduan.

Autobusi u godit nga një automjet tip “Benz Mercedes” dhe përfundoi në kanal. Autoambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e policisë rrugorë mbërritën në vendin e ngjarjes pak minuta pas orës 17.00 të së premtes, kur u regjistrua aksidenti.

Sipas policisë, disa nga udhëtarët u gjetën në gjendje shoku dhe u dërguan menjëherë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” për mjekim. Për fat të mirë asnjë prej tyre nuk rezulton të ketë ndonjë pasojë serioze për shëndetin.

Policia pas një hetimi paraprak vendosi ta ndalojë drejtuesin e mjetit “Benz Mercedes”, për shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit, për plagosjen e më shumë se dy personave, si edhe për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.

Drejtuesi i mjetit në fjalë, sipas hetimeve, rezulton të ketë shkelur të paktën 5 rregulla të qarkullimit rrugor teksa ka goditur autobusin nga prapa, duke rrezikuar jetën e pasgjerëve. Gjithësesi, hetimet për këtë aksident nuk janë mbyllur.

Top Channel