Bushati-Venizelos: Zgjidhje toponimeve

21/02/2014 00:00

Diplomacia e Tiranës dhe ajo e Athinës angazhohen të zgjidhin shumë shpejt çështjen e mprehtë të toponimeve. Shefi i diplomacisë shqipare Ditmir Bushati dhe ai grek Evangelos Venizelos, i cili ndodhet në Tiranë në përmbyllje të turit ballkanik, u shfaqën me tone të reja përpara medias, atë të bashkëpunimit konkret për zgjidhjen e çështjes që për shumë kohë ka qenë shqetësimi i bashkëqytetarëve tanë në Greqi dhe që ministri Bushati gjeti rastin të komunikojë në krah të homologut grek.

“Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim, për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje, e cila për sa na takon do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë, duke respektuar në këtë mënyrë të drejtën ndërkombëtare, integritetin territorial, parimet e fqinjësisë së mirë dhe natyrisht duke i shërbyer qytetarëve, të cilët do të korrin benefite nga ky mirëkuptim mes dy qeverive, i cili do të përkthehet natyrisht në nivelin teknik nga një marrëveshje më e qartë e më e detajuar”, deklaroi Bushati.

“Siç e tha dhe zoti Bushati, kemi bërë një përgatitje shumë thelbësore dhe praktike, e cila na lejon të levizim shpejt, të japim zgjidhje përfundimtare dhe të shpejta të çështjeve të mbetura të pazgjidhura, duke pasur si bosht kryesor ku të mbështesim respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e së drejtës ndërkombëtare, por edhe status kuosë. Në këtë kuadër do të punojmë që të dyja palët, në mënyrë shumë të shpejtë dhe bashkëpunuese, por edhe produktive, që të mirëpërdorim në shkallën më të lartë të mundshme traktatin e fqinjësisë së mirë që është në fuqi”, deklaroi nga ana tjetër Venizelos.

“Ne do të aktivizojmë komisione të përbashkëta në sektorë të ndryshëm që kanë rëndësi të madhe politike dhe ekonomike e sigurisht që do t’u japim zgjidhje problemeve për t’u dhënë njerëzve mundësinë e lëvizjes së lirë. Dhe me kënaqësi vura re deklaratën e zotit Bushati, që një çështje si ajo e toponimeve nuk ka dimension politik, pra asnjë paragjykim, por ka gjithmonë një respekt absolut të plotë përsa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe të fqinjësisë së mirë”, vijoi numri dy i qeverisë greke.

E drejta ndërkombëtare është theksuar nga shefi i diplomacisë helene për zgjidhjen e çështjeve të paadresuara, ndër të cilat edhe ajo e kufirit ujor, çka u duk risi në deklaratat e Athinës zyrtare, kur më herët nuk kishin munguar as zërat insistues në marrëveshjen e arritur për këtë çështje me qeverinë Berisha.

“Dhe sigurisht që e drejta ndërkombëtare është ajo që do të na japë një zgjidhje të shpejtë, të plotë dhe të zbatueshme, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e dy vendeve tona, edhe përsa i përket anës tokësore dhe asaj detare”, nënvizoi Venizelos.

Vizitën në Tiranë ministri i Jashtëm grek e cilësoi si pikën kulmore të turit të tij në gjashtë kryeqytete të Ballkanit, duke renditur në to edhe Prishtinën, pavarësisht se ende Greqia nuk e ka njohur Kosovën si shtet, ndërsa theksoi më shumë se njëherë partneritetin strategjik te Greqisë me Shqipërinë.

“Statusi, prioritet i presidencës greke”

Venizelos takon Nishanin, Metën dhe Bashën

Prioriteti i presidencës greke të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria brenda kësaj periudhe është theksuar nga zv.kryeministri dhe ministri i Jashtem grek në takimin me presidentin Bujar Nishani.

Në lidhje me qasjen rajonale të vendit të tij, njoftimi i Presidencës thotë se zoti Venizelos u shpreh se Athina i gëzohet dhe mbështet fort dialogun Beograd-Prishtinë, duke veçuar se ka një plan ambicioz bashkëpunimi dypalësh mes Greqisë dhe Kosovës.

Integrimi i rajonit në BE i është theksuar nga Venizelos edhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, te cilit i nënvizoi se Greqia e konsideron avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë si kyç për të gjithë rajonin. Ndërsa Lulzim Basha i ka garantuar zotit Venizelos mbështetjen e plotë të opozitës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në përfundim të vizitës 2-ditore në Tiranë Venizelos doli në një konferencë për shtyp ku theksoi edhe njëherë tjetër angazhimin e Greqisë në mbështetje të Shqipërisë në marrjen e statusit të vëndit kandidat.

“Integrimi i Shqipërisë në BE është një prej prioriteteve kyçe të Presidencës greke, në mënyrë që t’ju hapet rruga për nisjen e negociatave me BE-në”, deklaroi Venizelos.

Shefi diplomacisë helene paralajmëroi organizimin e një samiti europian në Selanik, ku do të ftohen edhe vendet aspirante nga rajoni i Ballkanit. Zoti Venizelos u pyet edhe për shpalljen non-grata nga autoritetet greke të gazetarit të Top-Channel Marin Mema.

“Nuk kam dijeni për këtë rast, por pyetjen tuaj do ta mbaj shënim për ta diskutuar me ministrin e Brendshëm”, u shpreh Venizelos. Ndërkohë, për çështjen e gazetarit Mema deri më sot ka patur dy interpelanca në Parlamentin grek dhe zyrtarët e qeverisë i janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Top Channel