Kryeministri Edi Rama e quajti gjendjen aktuale të territorit të vendit
një katrahurë, në diferencën mes asaj që projektohet në letër dhe asaj
çfarë realizohet konkretisht në terren.

Në prezantimin e ‘Atelier Albania’, që do të funksionojë si zyrë e re pranë Agjencisë së Planifikimit të Territorit, Kryeministri tha se për t’i dhënë fund kësaj situate, planifikimi dhe realizimi i veprave infrastrukturore duhet të kryhen si procese paralele.

“Kemi pasur tanimë gjithë kohën e nevojshme për të parë se nga njëra anë fuqia jonë planifikuese është shumë e dobët, nga ana tjetër ajo çka kemi planifikuar nuk është përputhur asnjëherë me atë çka kemi realizuar. Vizioni i parë dhe më i thjeshti është se na duhet të ecim me vendosmëri dhe me vizion të qartë në dy shina paralele, nga njëra anë të planifikojmë, nga ana tjetër të realizojmë”, tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama u ndal tek projektimi urban i një prej pikave më të rëndësishme turistike në vend, vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, fituesi i të cilit do të shpallet të premten.

“Eshtë një konkurs që do të jetë shumë mbresëlënës për nga cilësia e propozimeve dhe për risitë që do të sjellë. Por nga ana tjetër është një proces ku ‘Atelier Albania’ do të jetë shumë më e rëndësishme për të bërë të mundur që kalimi nga ideja në realitetin e qytetit të Vlorës të mund të bëhet si një kalim që në fund të ditës na jep në realitet të realizuar idenë dhe planin fitues”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit ajo çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve shihet qartë në krahasimin mes veprave infrastrukturore ne vend dhe atyre të Bashkimit Evropian ku synojmë të integrohemi. 

Top Channel