“Furgonët” bëjnë vetëgjyqësi

17/02/2014 19:40

Drejtuesit e furgonëve në protestën e tyre po kalojnë në vetëgjyqësi. Pasi kërkuan ndërprerjen e punës së taksive ilegale dhe nuk gjetën reagimin e duhur, ata kanë nisur t’i bllokojnë vetë këto mjete, sikurse ndodhi në rastin e Korçës.

Ndërsa në Lushnje, protestuesit bllokuan rrugën për rreth 1 orë dhe në disa raste u konfrontuan me drejtuesit e taksive “8 plus 1” që nuk protestojnë, si dhe ata që janë me targa të bardha.

Kjo ka ndodhur në hyrje të qytetit të Lushnjes, ku protestuesit janë grumbulluar për të bërë atë që thonë se është puna e policisë.

Takimi me ministrin e Transporteve dhe atë të Brendshëm nuk ka ndalur protestat e drejtuesve të mjeteve taksi “8 plus 1”. Në Elbasan ata bllokuan një korsi të rrugës për në Tiranë.

Pyetjes se, përse nuk e kanë kundërshtuar më parë një ligj i cili është miratuar që në vitin 1998, drejtuesit e mjeteve i përgjigjen se ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë.

Bllokimi i njërit krah të rrugës Elbasan-Tiranë për rreth 1 orë nuk shkaktoi probleme në qarkullimin e mjeteve. Protesta e tyre u ndoq nga policia e rendit dhe ajo e qarkullimit rrugor, e cila bëri edhe rregullimin e lëvizjes.

Top Channel