Shqipëria përmirëson lirinë e medias

12/02/2014 00:00

Shqipëria shënoi hapa përpara sa i takon lirisë së shtypit. Në raportin
për lirinë e shtypit në botë “Reporterët pa Kufij” e rradhisin
Shqipërinë në vendin e 85-të, ndërsa në vitin 2013, vendi ynë renditej
në të 102-tin.

Në raport, organizata me qendër në Paris e cilëson ndryshimin e qeverisë në Shqipëri, si një faqe të re në historinë e medias.

“Zgjedhjet e qershorit 2013-të sollën një ndryshim të qeverisë. Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhje të pastra, të cilat i dhanë fund dy dekadave të vështira të ushtrimit të zgjedhjeve. Programi i saj për median në Shqipëri është ambicioz; hartimi i legjislacionit të ri që përmirëson transparencën për pronësinë e medias, forcon pavarësinë e transmetuesit publik dhe garanton aksesin në informacion, i cili mbahej nga entitetet shtetërore. Në tetor të vitit 2013, 11 anëtarët e bordit drejtues të transmetuesit publik zgjaten me një vit mandatin e tyre. Kjo jep idenë e shkallës së sfidave me të cilat përballet qeveria e re, e cila aspiron që Shqipëria të pranohet si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Raporti e rendit Kosovën në vendin e 80-të, ndërsa më 2013 ajo ishte ne te 85-tin.Prapa Kosovës dhe Shqipërisë, në rajon ndodhen Maqedonia e cila ka shënuar rënie prej vendit të 116-të në vendin e 123-të dhe Mali i Zi i cili radhitet në vendin e 114-të, një vend më poshtë sesa vitin e kaluar.

Ndërkaq sa u përket vendeve tjera të Evropës Juglindore, qëndron Sllovenia në vendin e 34-të, pastaj Serbia në të 54-tin, Kroacia e 65-ta, ndërsa Bosnja e Hercegovina në vendin e 66-të.Listën prej 180 shtetesh e territoresh e kryesojne; Finlanda, Holanda, Norvegjia, Luksemburgu dhe Andora, ndërsa në fund renditen Turkmenistani, Koreja Veriore dhe Eritrea. Rënie kanë shënuar edhe Shtetet e Bashkuara që radhiten në vendin e 46-të, në dallim nga viti i kaluar, qe zinin vendin e 32-të.

Top Channel