Rama-Meta-Idrizi ‘kokë më kokë’

12/02/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama së bashku me aleatin e tij, kreun e Kuvendit Ilir Meta kanë preferuar ta ndajnë drekën e të mërkurës me kreun e PDIU-s, Shpëtim Idrizi.

Kjo drekë i është  përshkruar Top Channel nga burime pranë qeverisë si “informale” .
Ftesa duket se ardhur nga kryeministri Edi Rama pasi është zhvilluar në ambientet e vilës qeveritare me numër 31, në qendër të Tiranës.

Pavarsisht se burimet qeveritare e përshkruajnë drekën si informale, koha kur u organizua dhe vendi në këndvështrimin politik merr një domethënie të vecantë. I ftuari në tryezën e Ramës, kreu PDIU-së, Shpëtim Idrizi tashmë ka dhënë shenjat e para se ai mund të kthehet në një faktor kyç në zhbllokimin e situatës bojkotuese nga opozita të Komisionit Parlamentar për Reformën Administrative.

Pas takimit me ambasadorin Arvizu, dy ditë më parë Idrizi u shpreh se “PDIU do t’i nxisë palët që të ulen për kryerjen e reformës administrative dhe territoriale. Në të tilla kushte  natyrshëm gjatë drekës Rama dhe Meta nuk ka se si ta kenë lënë jashtë vëmendjes gadishmërinë e shprehur prej Idrizit në formën e një angazhimi politik përpara Ambasadorit Amerikan.

Ndoshta edhe mund të ketë qenë temë primare e bisedës pasi mjafton që një prej 5 deputetëve të PDIU-së, pjesë e opozitës, të ulet në Komisionin e Reformës Administrative atëherë krijohet kuorumi i nevojshëm për ta avancuar atë.

Dëshira e ndërsjelltë mes Ramës dhe Idrizit për t’u parë në daljet publike afër njëri-tjetrit nuk ka munguar. Rama në ditën e Rinisë iu bashkua aktivitetit të PDIU-së e cila paçka është pjesë e opozitës preferoi të organizoj një aktivitet më vete. Një lëvizje e tillë e Shpëtim Idrizit dhe pranimi ftesës nga Rama, përfshi edhe takime të tjera gjatë muajve të shkuar larg syve të publikut, tregojnë ekzistencën e një  ambicie me ndërtimin e   një projekti politik me synime afatgjata mes tyre.

Në funksion të planeve afatgjata të maxhorancës me PDIU-në kësaj force politike në aspektin e punësimit nuk i janë prekur njerëzit e vet të cilët trashëguan poste publike në administratën e qeverisë së  shkuar.

Ekuacioni politik maxhorancë qeverisëse-PDIU mbart shumë të panjohura pasi nuk dihet ende se cfarë palët kërkojne dhe i ofrojnë njëra-tjetrës. Ndoshta ditët në vijim do t’i japin përgjigje pyetjes tashmë të ngritur prej disa muajsh nëse 5 deputetët e PDIU-së do t’i bashkohen maxhorancës Rama-Meta për ta cuar atë në ‘90.

Top Channel