Rama mbledh krerët e institucioneve kushtetuese

11/02/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit mes
institucioneve ligjzbatuese në vend dhe Koordinatorit Kombëtar kundër
Korrupsionit.

Për këtë qëllim në ambienetet e Kryeministrisë është zhvilluar një takim pune me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, Kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor Lefteri Lleshi, Inspektoren e Përgjithshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, Zana Xhuka, si dhe Nënkryetarin e  Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa.

Siç njofton Zyra e Shtypit në Këshillin e Ministrave, Kryeministri theksoi rëndësinë e pasjes së një bashkëpunimi sa më efikas për të garantuar një proces të konsoliduar të shkëmbimit të informacionit dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli.

“Për më tepër, Qeveria së bashku me institucionet e pavarura duhet të ndërmarrin veprime në unison për të adresuar probleme kyçe të axhendës evropiane me qëllim anëtarësimin e afërt në BE”, ka theksuar Kryeministri.

“Ka vend për bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve, por gjithsecili duke mbajtur pozicionin e tij të pavarur e kushtetues”,  u shpreh Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bled Çuçi.  Gjithashtu ai përmendi nevojën për strukturimin sa më të mirë të marrëdhënies midis Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit dhe institucioneve të pavarura në mënyrë që të rritet efikasiteti i luftës kundër korrupsionit.

Nga të gjithë krerët e institucioneve të pavarura u shpreh mbështetja e plotë në punën dhe objektivat e Qeverisë dhe të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Top Channel