“Piramida” e sigurimeve shoqërore

07/02/2014 00:00

Të gjithë zyrtarët e lartë të qeverisë kanë pranuar se skema aktuale e pensioneve jo vetëm ka dështuar por edhe se të punësuarit po taksohen dyfish.

Kryetari i grupit të punës për reformimin e pensioneve, Erion Veliaj tha se skema do të reformohet në mënyrë që cdo pensionist të ketë një pension kur të mbushë moshën.

“Është shumë e rëndësishme që të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të pranojmë që skema aktuale që kemi ka dështuar me sukses në të dyja këto elemente. Problemi më i rëndësishëm social është se janë mbi 1 mln shqiptarë që janë në moshë pune dhe nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve të cilët rrezikohen që të mos marrin pension fare në pleqëri, që do të shkaktonte një katastrofë sociale. Ndaj është e arsyeshme që ne të heqim pensionin tavan dhe t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë”, tha ministri Veliaj.

Defiçiti  i skemës së sigurimeve shoqërore llogaritet të jetë 42 miliard lekë, ose sa 45 % e shpenzimeve të ISSH. Informaliteti është shumë i lartë pasi vetëm 65 % e forcave të punës marrin pjesë në sistem. Në vitin 2050 llogaritet që 25 % e popullsisë të jenë 65 vjec, pra në kohën e daljes në pension.

“Arsyet kryesore të skemës deficitare të sigurimeve shoqërore, së pari numri i vogël i kontribuesve, lëvizjet demografike, emogracioni dhe diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension 5 vjet më parë se burrat, pavarësisht se jetëgjatësia mesatare e grave është më e madhe se e burrave”, thotë Vjollca Braho, Drejtore e ISSH-së.

Të paktën 1.7 % e prodhimit të brendshëm bruto llogaritet të jetë deficiti që ka shkaktuar sistemi i sigurimeve shoqerore në buxhet dhe sfida të mëdha mbeten evazioni, mosdeklarimi i pagave reale, emigracioni, por edhe të punësuarit në bujqësi.

Top Channel