Rritet kriminaliteti i të miturve

04/02/2014 00:00

Referuar shifrave, kreu i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa këmbëngul se krimi tek të miturit po shumëfishohet në mënyrë shqetësuese dhe për këtë sipas tij duhen evidentuar shkaqet që i shtyjnë ata të jenë në konflikt me ligjin.

“Pasqyrimi sa më i saktë, i cili ka munguar deri më tani ndikon në skanimin e gjendjes si dhe të informacionit për çdo person aktualisht në periudhë mbikëqyrjeje, veçanërisht për të miturit, për të cilët është i domosdoshëm hartimi i politikave të trajtimit në saj të një bashkëpunimi të harmonizuar ndër-institucional”, deklaroi Qafa.

Sipas tij, “Konkluzioni i sipërcituar është akoma më aktual nëse i referohemi statistikave të administruara nga Shërbimi i Provës, gjatë periudhës katër-vjeçare. Kështu rezulton se për vitin 2009 kanë qenë në periudhë prove 109 të mitur, një numër ky i shumëfishuar për vitet në vijim, deri në trefishim për vitin 2013 dhe konkretisht 311 të mitur”.

“Trendi në rritje, i cili nuk përbën aspak një lajm të mirë, parashtron nevojën për të forcuar bashkëpunimin me Organizatat Jo Fitimprurëse, me synim realizimin e projekteve konkrete për trajtimin e të miturve”, vijoi Qafa.

Për një strategji riintegrimi për të rinj nën shërbim prove foli edhe zv.ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi. “T’i themi jo të miturve në burgje! Ky slogan duhet të jetë udhëzuesi kryesor i punës sonë. Çdo studim lidhur me kriminologjinë, apo shkaqet që të çojnë drejt kriminoligjisë kanë si recetë kryesore largimin e të miturve nga qelitë e paraburgimit, burgut, etj, pasi burgimi i tyre është receta më e mirë për t’i përfshirë edhe këta të mitur në vorbullën e zezë të krimit”, tha Peçi.

Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja për një projekt pilot që synon t’u mësojë këtyre të miturve gjuhën angleze në kohën që ata janë të dënuar nga gjykata me shërbim prove, leksione që do të drejtohen nga mësuesja vullnetare Elisabeth Gowing.

Top Channel