Sokol Veizi u vra për tokën

03/02/2014 00:00

Vrasja e Sokol Veizit dy vite më parë duket se ka patur si shkak konfliktin për një tokë ku peshkatari kishte nisur të ndërtonte shtëpinë e tij.

Nëna e Sokolit, Nazo Veizi, 65 vjeç, flet disi e lehtësuar nga gjetja e vrasësit të djalit te saj. Ajo thotë se me dy kushërinjtë Mëhillaj, që kanë porositur vrasjen e djalit të saj, janë komshinj dhe ishin pronarët e vjetër të një toke që Sokoli kishte marrë me ligjin 7501.

“Ajo tokë është e Mëhillajve, por mua ma ka dhënë reforma. Tani ata thonë që e kemi pronën tonë. Vetëm një herë patëm problem me ta, kur Sokoli filloi të ngrinte themelet për një kioskë. Geno Mëhilli shkoi dhe i tha: ‘Sokol, nuk do bësh themel këtu’, Sokoli i tha: ‘Geno, sot e kam unë’. Ne e kishim marrë me ligjin 7501”, tregon zonja Veizi.

Gruaja e moshuar punon çdo ditë për të mbajtur familjen që la pas Sokoli, ndërsa vajza e tij vetëm 16 vjeç thotë se gjithçka ja lë në dorë drejtësisë. “Normal që ndihem e lehtësuar, sepse ishte ajo frika që nuk dinim nga na vinte”, shprehet Selina Veizi.

Sokol Veizi u vra dy vite më parë në Orikum dhe policia që në atë kohë dyshoi për një vrasje profesionistësh, por pa gjetur autorin e vërtetë të saj.

Kjo vrasje është zbardhur pas rrëfimit që Julian Sinani bëri duke thënë se vrasjen e kishin porositur kushërinjtë Mëhillaj, që e shpërblyen me një apartament të vogël.

Top Channel