Konflikti mes dy biznesmenëve të gazit, Ilir Karçinit dhe Pirro Bares ka nisur disa vite më parë dhe ka në themel të tij luftën për treg. Në vitin 2011, pas problemeve me konçesionin e Petroliferës në Gjirin e Vlorës, kompanitë e tregtimit të gazit u detyruan ta zhvendosnin aktivitetin e tyre në Porto Romano.

Në këtë port në vitin 2004, qeveria kishte dhënë me konçesion ndërtimin e një terminali shkarkimi. Pronari i kompanisë konçesionare është Pirro Bare. Zhvendosja e imponuar e kompanive të gazit në Porto Romano i fuqizoi jo pak pozitat e biznesmenit Bare, i cili zotëron dy kompani që tregtojnë gaz, “Intergaz Sh.A” dhe  “Av Gaz”.

Përplasjet e para nisën në vitin 2011, kur importuesit e gazit, mes tyre dhe biznesmeni Karçini akuzuan Baren se po pengonte qëllimisht shkarkimin e tyre për të rritur pozitat e tregut vetë. Bare pretendonte në atë kohë se kompanitë e gazit nuk ishin në rregull me dokumnetat.

Çështja i kaloi Autoritetit të Konkurrencës, i cili gjobiti kompaninë e biznesmenit Bare dhe urdhëroi atë që të mundësonte shkarkimin e kompanive të tjera. Çështja u zgjidh, por përplasjet mes Karçinit dhe Bares u rikthyen sërish një vit më parë.

Këtë herë biznesmeni fierak, pronar i “Prima gaz” u ankua tek Autoriteti i Konkurrencës se Bare po pengonte sërish shkarkimin e gazit për kompaninë e tij, duke mos respektuar radhën.

Çështja u hetua sërish, por këtë radhë autoriteti nuk gjeti shkelje. Por përtej kësaj, kontrolli i pikës monopol të shkarkimit i dha Bares një avantazh të fuqishëm. Kompanitë e tij e rritën pjesën e tregut nga 30 për qind në 2011 në 70 për qind aktualisht.

Nga ana tjetër kompanitë rivale nisën të dilnin njëra pas tjetrës nga tregu duke falimentuar sic ishte rasti i “Mare Oil”.  Humbja e tregut duket është shkaku kryesor se pse biznesmeni Karçini, sipas prokurorëve, pagoi 120 mijë euro për eleminimin fizik të Bares, të mbetur në tentativë pas arrestimit të vrasësist Julian Sinanaj.

Por ky nuk është rasti i parë kur emri i Karçinit bëhet i njohur për publikun. 7 vjet me parë së bashku me Skënder Monikun ai është denoncuar nga biznesmeni grek George Vourvachis se i kanë grabitur 70 për qind të aksioneve të firmës së tij të quajtur “Viakel gaz”, që më vonë u shndërrua në “Prima gaz”.

Madje në atë kohë kjo është përdorur edhe nga maxhoranca e djathtë për të vënë nën akuzë ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, mik i ngushtë i Karçinit, tashmë dhe avokat i tij, si bashkëpuntor për tjetërsimin e kompanisë greke.

Top Channel