Zjarr në burgun e Rrogozhinës

31/01/2014 00:00

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e së premtes ambientet e Burgut të Rrogozhinës.

Nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Rrogozhinës mësohet se zjarri ka rënë në një nga qelitë e njërës prej godinave dykatëshe, ku ndodhen të dënuarit.

Fillimisht u deklarua që zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, në njërën prej godinave të burgut, ndërsa një tjetër informacion i dhënë nga drejtues të burgut flet për shpërthimin e një bombule gazi, që mbahej prej të dënuarve brenda qelisë.

Forca të shumta të policisë së Kavajës dhe Tiranës, por edhe forca speciale kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke shmangur zhvillime të tjera e duke vënë nën kontroll situatën.

Si rezultat i zjarrit kanë mbetur të asfiksuar disa prej të dënuarve, që ndodheshin edhe në qelitë fqinje me atë ku ndodhet vatra e zjarrit.

Afro 20 të dënuar deklarohen se kanë pësuar djegie, si dhe janë asfiksuar nga tymi. Ata janë dërguar në spitalet e Rrogozhinës, Kavajës dhe 2 prej tyre në Durrës, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore.

Njëri prej të dënuarve, që ndodhet në spitalin e Durrësit, paraqet një gjendje më të rënduar asfiksie. Ata janë transportuar nën masa të larta sigurie drejt spitaleve, ndërsa zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë zjarrin.

Drejtues të burgut mohojnë që rënia e zjarrit të ketë lidhje me ndonjë përpjekje të të burgosurve për të shpërqendruar gardianët dhe për të realizuar një arratisje.

Burgu i Rrogozhinës kategorizohet si burg i sigurisë së zakonshme, me një seksion paraburgimi, dhe ka një kapacitet akomodues për 340 persona.

Top Channel