Banda e bombave në gjykatë

31/01/2014 00:00

Edhe 31-vjeçari Ndriçim Gjokona, i cili ka qenë denoncuesi i ‘bandës së bombave’, ka dalë përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda i dyshuar si vrasës me pagesë dhe si bashkëpuntor i vrasësit tjetër me pagesë, Julian Sinani.

Të dy ata ndërsa ndodhen në pozicione kundër njëri- tjetrit i bashkon  statusi që kanë marrë veç e veç, si të penduarit e drejtësisë në bazë të një marrëveshjeje që mbron jetën atyre dhe të familjarëve me kushtin që të flasin për gjithçka kanë bërë dhe për të gjitha porositë që kanë marrë.

Një burim i tha Top Channel se megjithatë dy të dyshuarit përgjatë masave të sigurimit personal të zhvilluara në gjykatë në ditë të ndryshme, kanë deklaruar se janë të frikësuar për familjet e tyre nga personat që ende nuk janë arrestuar dhe që kanë qenë padronët e tyre në biznesin e krimeve me pagesë.

Por ndërsa janë ende në kërkim dy kushërinjtë vlonjatë që dyshohen se kanë porositur një seri vrasjesh, Enton Mëhilli dhe Gentian Mëhilli, një tjetër i dyshuar si porositës, Marjon Mitro, mori masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Ndaj tij rëndojnë akuzat e kryerjes se veprimeve me qëllime terroriste në dëm të Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi me qëllim përhapjen e panikut në popullatë dhe shkatërrim të pronës private.

Atentati ndaj Besnik Dervishit shkaktoi reagime të shumta, mes të cilave edhe deklarata të opozitës se ishte i inskenuar nga qeveria, e cila ka vënë vetë tritolin poshtë makinës së Prefektit. Po ashtu ai akuzohet për mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe mbajtje pa leje të lëndëve plasësë si dhe vrasje e mbetur në tentativë ndaj shtetasit me inicialet J.M.

Por ndërsa Prefekti i Vlorës, Dervishi tha për mediat një ditë më parë se nuk e njeh Mitron, ky i fundit u shpreh në gjykatë se e ka mik Besnik Dervishin dhe shok Julian Sinanin dhe se nuk e kupton se çfarë janë të gjitha këto që po thuhen. Të njëjtën gjë tha edhe avokati i caktuar për mbrojtjen e tij nga shteti, Remzi Ponari.

“Personat ndaj të cilëve dyshohet se janë të dëmtuar, ai i ka miq dhe shokë. Dhe këtë deklaratë ai e bëri edhe në seancën gjyqësore”, tha avokati Ponari.

Në bazë të rrëfimit të Sinanit, për prokurorinë Mitro ka porositur duke paguar me 20 mijë euro vrasësin me pagesë për hedhjen në erë të automjetit të prefektit Dervishi për shkak të dëmtimit të një biznesi privat në Ujin e Ftohtë.

Për një ngjarje tjetër po kaq të bujshme, Julian Sinani është shprehur se nuk i di qëllimet se përse u kërkua  vendosja e lëndës plasëse në banesën e Ardian Kollozit, porosi të cilën sipas tij e ka marrë nga shtetasi Erjon apo Enton Mëhilli, e për të cilën është paguar me 7500 euro.

Qëllimi i këtij atentati, sipas të penduarit Sinani, ka qenë vetëm për një mesazh dhe jo për vrasje. Mëhilli, sipas Sinanit, ka porositur edhe vrasjen e biznesmenit të gazit në fund të 2013-ës duke i dhënë shumën prej 100 mijë eurosh, ngjarje e cila dështoi për shkak se i dyshuari u arrestua.

Julian Sinani, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë ka treguar edhe për krimet e tjera të porositura nga kushërinjtë Mëhilli, duke përfshirë edhe vrasjen e shtetasit Sokol Veizi krim për të cilin u shpërblye me një ambient 50 metra katrorë në qytetin e Vlorës.

Top Channel