Ngjarjet e rënda të janarit

28/01/2014 00:00

Akte të rënda të cilat policia i konsideron terroriste janë shënuar në vend përgjatë gjithë muajit janar. Ditën e parë të vitit policia njoftoi se një sasi e konsiderueshme tritoli u vendos në këmbën e një shtylle të tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë.

Në vendin e quajtur Ndërlalaj, në  Milot u dëmtua me eksploziv shtylla e linjës së interkonjeksionit. Nga shpërthimi me lëndë plasëse u këput njëra këmbë e shtyllës në lartësinë 10 metra nga toka.

Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka u gjetën nga policia një sasi prej 16 kallepësh tritoli me një peshë prej 6.4 kilogramë.

Në provat e administruara nga policia janë edhe dy kartona me mbishkrimet nafta dhe taksa të gjetura nga policët në vendin e ngjarjes në këmbët e njërës prej shtyllave.

Në Vlorë, Kryetari i Komunës Qendër, Alfred Berberi u plagos nga shpërthimi i një sasie eksplozivi në automjetin e tij.  Mjeti po lëvizte në bulevardin qendror të Vlorës kur ka shpërthyer në ecje. Pas shpërthimit mjeti vijoi të lëvizë duke u ndalur vetëm pasi goditi disa mjete të tjera të parkuara në rrugë.

Një ndërtues nga Durrësi mbeti i plagosur rëndë dhe më pas ndërroi jetë në spital pasi makina me të cilën po udhëtonte u përfshi nga flakët gjatë një shpërthimi në zonën e plazhit të Durrësit. Shpërthimi ndodhi, teksa makina po lëvizte në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa. Xhemal Çela, 45 vjeç humbi jetën një ditë më pas në spital, pasi kishte marrë plagë të rënda.

Një shpërthim eksplozivi tronditi qytetin e Pogradecit. Ngjarja u regjistrua në lagjen 5 teksa ishtë vendosur në derën e banesës së kreut të Partisë Demokratike në qytetin e Pogradecit, Luan Lipo.  Bomba fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Një sasi ekzplozivi u vendos në një automjet furgon në qytetin e Lezhës. Drejtuesi i mjetit gjeti në ndenjësen e pasme të automjetit një pako të mbështjellë me letër natriban ngjyrë e zezë, si dhe një telefon celular të lidhur me të.

Drejtuesi i mjetit njoftoi menjëherë policinë duke dyshuar se kishte të bënte me lëndë eksplozive. Nga ana e specialistëve xhenierë  u bë çaktivizimi i lëndës plasëse.

Top Channel