23-vjeçari Laurent Tabaku nga Elbasani, që u plagos në kraharor prej të shtënave në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, ndërroi jetë në spital gjatë orëve të pasdites.

Ai ishte një nga dy pasagjerët e plagosur, bashkë me një vajzë 19-vjeçare nga Fieri, gjatë sulmit me armë në aksin rrugor Tepelenë-Krahës.

Autobusi ishte nisur nga Athina dhe kishte për destinacion Tiranën. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Mogila rreth orës 01:20 minuta të mëngjesit, ndërsa një pjesë e mirë e pasagjerëve kanë qenë në gjumë.

Një person me armë doli në rrugën e dëmtuar dhe kërkoi të ndalonte autobusin, por shoferi shtoi shpejtësinë dhe iu kërkoi pasagjerëve të ulnin kokat. Një breshëri e gjatë arme është dëgjuar ndërsa mjeti vijoi rrugën.

“Shof një njeri me të zeza, mu duk si bari me shkop në dorë. Punë tre sekondash ishte, vetëm kur dëgjova një të shtënë”, tregon pasagjeri Edmond Tafa.

“Shoferi na ka shpëtuar, por është 100 për qind e sigurtë se ai njeri e ndaloi autobusin për të hyrë brenda dhe për të na grabitur”, thotë pasagjeri tjetër Mark Ndou.

Edhe Arif Gjumi, një udhëtar që gjendej në autobus pranë të riut që mbante sediljen me numër 31 përballë tij, flet për momentet kritike, britmat dhe frikën e pasagjerëve.

“Në momentin që dëgjuam zhurmë, shoferi na tha që të ulnim kokën dhe eci me shpejtësi. Po flisnim me njëri-tjetrin dhe thamë që plumbat nuk na kishin kapur. Por i riu futi dorën në kraharor dhe pa që aty kishte gjak dhe plumbat i ishin futur në trup”, thotë Gjumi.

Policia njoftoi zyrtarisht se dhjetëra forca policie janë duke kontrolluar gjithë zonën për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Pothuajse një vit më parë, saktësisht më 15 janar të 2013, një tjetër autobus pasagjerësh u sulmua dhe u grabit në të dalë të Tepelenës, duke shkaktuar frikë dhe panik në akset nacionale.

Ndërkohë, policia ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro për personat që do të japin informacion të vlefshëm për kapjen e autorëve të ngjarjes si dhe numrin 0694102732 ku mund të jepet informacioni.

Top Channel