Pas reagimeve të shumta, që ka shkaktuar në Maqedoni dhe Shqipëri projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës, është prononcuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Ai ka deklaruar se ky projekt nuk do të realizohet, nëse me të dëmtohet ambienti jetësor.

“Ky është një projekt, të cilin e udhëheqim bashkë me Bankën Botërore. Banka Botërore përgatit edhe projektin ekologjik, i cili duhet të tregojë përparësitë dhe dobësitë eventuale, e pas këtij projekti do të jepet dhe vendimi përfundimtar. Kuptohet, nëse projekti dëshmon se nuk ka ndonjë dëm serioz për natyrën, ambientin jetësor, për qytetarët, në atë rast do të vazhdojmë më tej dhe do ta realizojmë. Nëse, përkundrazi, ai tregon se u shkaktohet dëm qytetarëve, ka pasoja për ambientin jetësor, ka pasoja për natyrën, ka pasoja le të themi edhe për fqinjët, kuptohet se një projekt të tillë edhe vet Banka Botërore nuk do ta mbështesë, sepse projekti kalon përmes saj dhe mjetet e implementimit i sigurojnë ata”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Gruevski ka thënë se spekulimet në lidhje me hidrocentralin në Lukovë bëhen për përfitime politike. Shefi i ekzekutivit ka porositur banorët e Dibrës të jenë të qetë dhe ka nënvizuar se qeveria e drejtuar nga ai nuk ndërmerr projekte kundër qytetarëve të Maqedonisë apo vendeve fqinje.

“Dua t’u them njerëzve që jetojnë në atë zonë, të jenë të qetë dhe ta dinë se kjo qeveri nuk punon në asnjë lloj projekti, që mund të dëmtojë qytetarët dhe ambientin jetësor, asnjëherë s’ka punuar kështu deri më tani. Ta dinë se ne qëndrojmë pas tyre dhe jo ata spekulantët, të cilët shohin mundësitë për të nxjerrë nga ky projekt ndonjë përfitim politik”, shtoi Nikolla Gruevski.

Paraprakisht, edhe ministrat shqiptarë në qeverinë e Shkupit janë shprehur kundër devijimit të lumit Radika dhe kanë dhënë garanci se hidrocentrali në Lukovë nuk mund të ndërtohet, nëse shkakton dëm në Dibër dhe Shqipëri.

Top Channel