Qeveria maqedonase do ta ketë të pamundur realizimin e projektit për
devijimin e lumit Radika, i cili buron nga territori i Republikës së
Kosovës.

Kjo për shkak se qeveria kosovare nuk do të miratojë planin maqedonas në rast se kjo e fundit cënon dhe shkakton dëme ndaj shtetit shqiptar. Ministri kosovar i Ambientit Dardan Gashi thotë se qeveria maqedonase zyrtarisht nuk e ka njoftuar Qeverinë kosovare gjë që është e papranueshme për Kosovën. Në një intervistë për Top Channel,  z. Gashi shpjegon se në asnjë mënyrë nuk mund të realizohet asnjë projekt në mënyrë të njëanëshme teksa lumi radika kalon në tri shtete.  

“Qeveria maqedonase nuk ka na ka informuar në mënyrë zyrtare. Nuk mund te merren vendime të tilla pa marrëveshje me vendet që preken nga ky projekt. Për këtë çështje duhen zbatuar konventat ndërkombëtare”, tha Gashi.

Ministri Gashi theksoi se, pala kosovare do kërkojë zgjidhje sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Por nga tjetër ministri Gashi rikujton edhe çështjen e projektit të Termocentralit të Zhurit në Prizren, i cili që prej dhjetë vjetësh po bllokohet për shkak të shtetit shqiptar.  

“Ky projekt mund të garantojë një sasi të konsiderueshme energjie, por në fakt prej 10 vjetësh po pengohet. Kemi rënë dakord me Qeverinë e re që kjo cështje të zgjidhet”, tha Gashi.

Projekti maqedonas i cili është publikuar nëpër media parashikon ndertimin e nje ujembledhesi ne trekendeshin Kosove – Maqedoni – Shqiperi, me synim ndertimin e një hidrocentrali ne fushen e Lukoves, por duke devijuar shtratin e lumit Radika, i cili derdhet ne kaskaden e Drinit.

Top Channel