Burgjet, problem mbipopullimi

20/01/2014 00:00

Në burgjet shqiptare vijon të jetë problem mbipopullimi. Përgjatë analizës vjetore të këtij institucioni u vu në dukje edhe çështja e arratisjeve të ndodhura muajt e fundit, si një situatë që nuk lidhet vetëm me sigurinë, por edhe me përcjelljen e informacionit në kohën e duhur mes institucioneve përkatëse.

“Mbipopullimi në vitin 2013 ka qenë 935 persona, ose 20.6 për qind më shumë se kapacitetet”, deklaroi Artur Zoto, drejtor i përgjithshëm i burgjeve.

“Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë në dritë rëndësinë e sigurisë në burgje. Ky aspekt nuk është vetëm një çështje e dizajnit fizik, por është shumë i rëndësishëm, ashtu siç është edhe efikasiteti i mekanizmave të shkëmbimit të informacioneve në sistemet e burgjeve për të shmangur arratisjet”, deklaroi eksperti Nicholas Cannon.

Ministri i Drejtësisë mbështeti idenë e një bashkëpunimi ndërinstitucional për kushtet e sigurisë së burgjeve, si dhe mbikëqyrjen nga policia të të dënuarve në çastin që fitojnë leje shpërblyese.

“Duhet një bashkërendim i punës, ngritja e një komiteti mbi politikat penale, detyra e të cilit do të jetë rritja e kontaktit me institucionet e drejtësisë”, deklaroi Nasip Naço.

Por avokati i popullit mbi te gjitha shikon me shqetësim mbajtjen si të dënuar të mbi 100 shtetasve, për të cilët gjykata ka vendosur mjekim të detyrueshëm.

“Për ne ajo është një gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Këta persona nuk janë të dënuar, por qëndrojnë në regjim burgu”, vuri në dukje avokat Igli Totozani.

Top Channel