Seedorf: Do ta ngrejmë Milanin. Dua një cikël të ri

15/01/2014 00:00

Clarence Seedorf ka zbritur në aeroportin e Linate-s më 18:30 të pasdites së të mërkurës, ndërkohë që një mjet i vënë në dispozicion nga klubi i Milanit e ka dërguar menjëherë në “San Siro”, për të ndjekur si spektator, këtë herë, ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Spezia.

Në tribunë ka përqafuar Adriano Galliani-n, administratorin e deleguar kuqezi, dhe është ulur në krah të tij. “Kam lindur në të njëjtën ditë me Sacchi-n? Shpresoj që të jetë një ogur i mirë. Por, mund të them se jam i lumtur”, ka thënë për mediat italiane, që nga Amsterdami, ende pa mbërritur në Itali. Më pas, kur u rikthye në Milano: “Duhet shumë punë për të bërë, për ta ringritur Milanin sa më lart”.

Në fakt, ka qenë një atmosferë shumë pozitive sot në Milano, ku pritej me një ankth “zbarkimi” i Clarence Seedorf për të nisur një aventurë të re. Indicia e parë është dhënë nga uebsajti i klubit. “Pas pak vjen Clarence”, shkruhej në të rreth 17:30.

“Kemi shumë punë për të bërë, për të ringritur Milanin në majat e futbollit. Jam shumë i lumtur. Presidenti Berlusconi kishte parashikuar gjithçka që prej dy vitesh”. Kjo ka qenë deklarata e parë e Seedorf për “Milan Channel”, pas mbërritjes në aeroportin e Linate-s.

“Nuk mund të them se jam rikthyer, sepse nuk jam larguar kurrë nga këtu. Ka shumë rëndësi për mua, që shoh gjithë këtë entuziasëm”. Më pas, një deklaratë edhe për Claudio Lippi-n, një gazetar i “Milan Channel”, i ndarë nga jeta vitin e kaluar. “Claudio do të jetë gjithnjë në zemrën time. Shpresoj t’i dedikojmë diçka të rëndësishme së shpejti”.

Sapo mbërriti në “San Siro”, Seedorf dha të tjera deklarata: “Në këtë moment ndiej një emocion të madh dhe një sens përkushtimi e detyrimi. Jam larguar nga Milan në Maj të 2012-s, në fund të një cikli. Detyra ime është që të hap një tjetër cikël. Ndiej se duhet të jap 100% për të rindërtuar, rikthyer entuziasmin dhe sigurinë, dhe do t’ia dalim. Disa muaj më parë, unë isha në Brazil, Kakà ishte në Madrid, tashmë jemi sërish bashkë? Po, kemi folur dhe jemi të lumtur që mund të përpiqemi në mënyra të ndryshme të ribëjmë mirë për ngjyrat kuqezi. Rikrijimi i një cikli? Kjo është ideja, mund të them vetëm Forca Milan, të bëjmë gjëra të bukura, sepse boll kemi vuajtur”.

Pas ndeshjes, Clarence Seedorf nuk është ulur për darkë me Galliani-n për shkak të lodhjes. Holandezi ka vendosur të kthehet menjëherë në hotel për të pushuar dhe për të qenë i gatshëm për stërvitjen e parë në Milanello, në 15:00 të ditës së enjte. Ndërsa të premten, më 09:30 do të firmoset edhe kontrata.

Kupa e Italisë, Milan-Spezia 3-1

Milan kalon me lehtësi 3-1 Spezia-n dhe kualifikohet për në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me Udinesen. Skuadra, që në këtë ndeshje u drejtua nga Tassotti, zgjidhi ndeshjen që në 45 minutat e para, falë golave të Robinho-s dhe Pazzini-t. Japonezi Honda ka shënuar edhe golin e tretë vetëm 2 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ndërsa Spezia shënoi golin e nderit në të fundit. Debutoi për kuqezinjtë edhe mbrojtësi Adil Rami.

Top Channel