Abuzimet me ndihmën ekonomike

12/01/2014 00:00

9 prej komunave të Korçës kanë abuzuar masivisht me dhënien e ndihmës ekonomike dhe pensionet e invaliditetit.

Një kontroll i imtësishëm i Drejtorisë së Shërbimit Social ka mundur të verifikojë shkeljet e plot 1450 familjeve, të cilat përfitonin këtë ndihmë financiare, edhe pse nuk përmbushnin kriteret.

Mbingarkesa në lista, shtimi masiv i numrit të familjeve përfituese, edhe pse nuk plotësonin kriteret, ka bërë që dëmi i përrllogaritur të kapë vlerën e 23 mln lekëve të reja.

Sipas drejtoreshës së Shërbimit Social në Korçë, verifikimet kanë treguar se në disa prej komunave ka rritje të theksuar të familjeve, që trajtohen kryesisht me ndihmë ekonomike, por edhe pension invaliditeti ndaj dhe janë marrë masat përkatëse.

Puna për verifikimin e listave, përmbushjen e kritereve dhe kontrollet nga ana e Shërbimit Social do të shtrihen edhe në komunat e tjera dhe do të kryhen në mënyrë periodike, për të shmangur abuzimet dhe padrejtësitë ndaj atyre familjeve, të cilat kanë vërtet vështirësi financiare.

Top Channel