Abuzimi me ndihmën ekonomike

11/01/2014 00:00

Prokuroria e Tiranes nis hetimet për abuzimet me fondet për dhënien e asistencës ekonomike, por edhe për dyshimet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave nga krerët e komunave Paskuqan dhe Krrabë.

Burime pranë prokurorisë bënë të ditur për Top Channel se për të dy rastet është regjistruar proçedimi penal, jo vetëm për krerët e komunave në fjalë por edhe anëtarët e këshillit të komunës, në bazë të dy raporteve të depozituara nga Shërbimi Social Shtetëror.

Njëra prej tyre është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës në fund të dhjetorit për komunën e Paskuqanit, ndërsa tjetra për komunën e Krrabës e bërë publike në fillim të vitit.

Burimet e prokurorisë pohuan se prokurorët e njësisë taskf forcë po studiojnë dosjet në fjalë për të vendosur se çfarë veprimesh të mëtejshme hetimore do të ndërmarrin.

Në rastin e komunës së Paskuqanit, Shërbimi Social Shtetëror pretendon se është shkelur skema e ndihmës ekonomike për gati 600 persona.

Ndërkohë, për komunën e Krrabës, sipas raportit, nga 228 persona që kishin përfituar nga skema e asistencës ekonomike, 193 prej tyre e kanë përfituar në shkelje të kritereve ligjore.

Top Channel