Katër persona mbetën të vrarë barbarisht në banesat e tyre dy ditë më parë në fshatin Gjonomadh të Korçës. Dy çiftet: Beliman dhe Daniela Meçollari 31 dhe 30 vjeç; dhe Rexhep e Valentina Metellari 55 dhe 50 vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri nga Bashkim Latollari.

Autori, i cili mori përsipër krimin, pranoi se vrasjen e kreu për motive pasioni. Ai deklaroi se kishte pasur një lidhje intime jashtëmartesore me Daniela Meçollarin dhe në pamundësi të divorcit të saj nga bashkëshorti, u hakmorr duke vrarë të dy çiftet.

Rreth një vit më parë, në fshatin Podgorije, në rrethin e Korçës, Viktor Rozhani qëlloi mbi ish të dashurën e tij Eliverta Coçka dhe të dashurin e saj të ri Feridon Bollguri. Ai e kreu këtë i nxitur nga xhelozia dhe i tradhëtuar nga 35-vjeçarja. 52-vjeçari Rozhani u hakmor duke i vrarë me automatik të dy personat dhe më pas qëlloi edhe veten.

Dy vjet më parë, në gusht të vitit 2012, 18-vjeçarja Nazime Visha i mori jetën 45-vjeçarit Fiqiri Muça, babait të pesë fëmijëve. Media u mbërthye gjatë pas kësaj historie krimi dhe versionet që çuan autoren në vrasje ishin për një lidhje intime mes të dyve. Nazmia u mbrojt me faktin se Fiqiriu kishte abuzuar me të që në adoleshencë, ndërsa zbardhja e tabulateve të bisedave dhe mesazheve telefonike tregonte se mes Nazmies dhe Fiqiriut ekzistonte një lidhje intime.

Në gusht të vitit 2011, një 84-vjeçar nga Korça vrau dhe më pas masakroi një femër 42-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte prej disa muajsh. Gaqo Dumka i mori jetën në mënyrë monstruoze Liljana Arapit, ku pasi i copëtoi trupin e hodhi atë në plehrat e fshatit Ravonik, fshehu kokën e viktimës, e cila u gjet disa ditë pas ngjarjes. Pas arrestimit, Dumka deklaroi se e kishte vrarë Liljanën pasi ajo prishte paratë e pensionit të tij me meshkuj të tjerë.

Një 39-vjeçare nga Vidohova e Korçës kreu një ndër krimet më monstruoze të shënuara gjatë asaj kohe. Liljana Mulliri vrau dhe më pas hodhi në pusin e shtëpisë nipin 8-vjeçar të të dashurit të saj, pas dyshimeve se ky i fundit e tradhtonte me gra të tjera. Xhelozia e çoi Mullirin në vrasjen ekstreme që shokoi mbarë opinionin publik. Shtatë vite më vonë, në janar të vitit 2010, tre djemtë e Liliana Mullirit u qëlluan për vdekje nga Besnik Karaj, pas dyshimeve që ai kishte se gruaja e tradhtonte me një prej vëllezërve Mulliri.

Dy vite më parë, një tjetër krim për pasion u shënua në një motel në qytetin e Pogradecit. 60-vjeçari Halim Hykollari vrau me mjete të forta në dhomën e motelit të dashurën e tij 35-vjeçare Mirela Spahiu. Gjatë hetimeve të kohës rezultoi se shkak i ngjarjes kishte qenë xhelozia e Hykollarit ndaj Spahiut. Autori, nga fshati Gështenjas, kishte përdorur një çekiç për kryerjen e vrasjes dhe masakrimin e kufomës.

Në janarin e vitit 2005, një zënkë dashurie mes dy studentesh përfundoi në tragjedi në Fakultetin e Gjuhëve të huaja në Korçë. Studentja e anglishtes nga Pogradeci Ornela Cepollari, vrau me armë zjarri shoqen e dhomës nga Prrenjasi, Suela Sina. Në bazë të hetimeve të policisë dhe prokurorisë së rrethit, u arrit në përfundimin se Cepollari e kishte vrarë Sinën për shkaqe xhelozie, pasi ajo kishte nisur një lidhje me të dashurin e saj. 

Top Channel