Specialet vrasin Gazmir Markun

30/12/2013 00:00

Është vrarë në orët e mbrëmjes të së hënës, gjatë një shkëmbim zjarri me policinë, Gazmir Marku, autori i plagosjes së policit Agron Halilaj.

Që prej së dielës, forcat speciale kishin blinduar periferinë e qytetit bregdetar, duke mundësuar izolimin e 32-vjeçarit Gazmir Marku, në zonën e ish-kënetës.

Ai është rrethuar në një banesë të zonës dhe, thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, i është përgjigjur me zjarr, duke vënë në rrezik jetën e efektivave policorë, të angazhuar në kapjen e tij.

Marku ka tentuar të çajë rrethimin, duke qëlluar në drejtim të një efektivi. Në këto kushte, forcat RENEA kanë ngushtuar rrethimin dhe qëlluan mbi të, duke e lënë të vrarë.

Në orën 01:00 të së dielës, Marku qëlloi me armë automatike mbi punonjësit e policisë, që kishin shkuar për një kontroll në banesën e tij në zonën e ish-kënetës, pas denoncimit për një tentativë vjedhjeje me dhunë në një lokal të Spitallës.

Nga hapja e zjarrit mbi patrullën policore mbeti i plagosur oficeri i krimeve Agron Halilaj, ndërsa autori arriti të largohet me makinë nga vendi i ngjarjes.

Por, arratia e tij ka zgjatur më pak se 48 orë. Marku, i ekzekutuar nga policia, ishte një person me precedentë penalë që, deri në fund të jetës së tij, deshi t’i bëjë rezistencë ligjit dhe organeve ekzekutuese të tij.

Trupa të shumtë policie dhe helikopterë u ngritën në kërkim të agresorit, ndërsa u vendos edhe një shpërblim prej 5 mijë eurosh për këdo që do të jepte informacione, që do të çonin në arrestimin e Markut.

Trupi i pajetë i viktimës do të shoqërohej në morgun e spitalit të Durrësit, ku do të bëheshin veprimet e autopsisë, përpara se t’i rikthehej familjes së tij për ceremoninë mortore.

Top Channel