Panik në zonën e Xhamllikut

30/12/2013 00:00

Banorët e zonës së Xhamllikut përjetuan orë paniku mbrëmjen e së hënës.

Rrjedhja e gazit, në një pikë karburanti, vuri në alarm jo vetëm banorët, por edhe policinë dhe zjarrfikësit, që rrethuan dhe evakuuan zonën. Po ashtu u bllokua edhe qarkullimi i mjeteve.

Mësohet se rrjedhja e gazit, në depozitën me kapacitet rreth 2 mijë litra, erdhi për shkak të defektit të saraçineskës dhe valvulës, e cila nuk u riparua dot nga punonjësit e karburantit.

Policia bllokoi zonën në një rreze prej 200 metrash, ndërsa forcat zjarrfikëse mbyllën vatrën e rrjedhjes së gazit, pas më shumë se 30 minutash punë.

Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të populluara në kryeqytet, ndërsa u mësua se depozitat e karburantit kishin rreth 1 mijë litra gaz.

Ndërhyrja e zjarrfikësve duke lagur rrugët, fikja e makinave dhe dritave në të gjitha banesat e zonës, si dhe mospërdorimi i celularëve, gjë që u këshillua nga policia, shmangën një shpërthim të mundshëm nga përhapja e madhe e gazit.

Rreth orës 22:00, policia njoftoi se situata u vu nën kontroll të plotë, ndërsa po vijojnë hetimet për shkaqet dhe personat përgjegjës për këtë situatë tepër alarmante, që vuri në rrezik banorët e kësaj zone shumë të populluar në Tiranë.

Të intervistuar nga “Top-Channel”, banorët thonë se, pavarësisht zgjidhjes së situatës, shumë persona me banim te Xhamlliku përjetojnë probleme në frymëmarrje apo djegie të syve, ndërsa era e rëndë e gazit është ende prezente në të gjithë lagjen.

Top Channel