Fatura e lartë financiare, por edhe ndërgjegjësimi i popullatës  janë dy hendeqet e mëdha që e bëjnë të vështirë zbatimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Kjo është një sfidë e madhe për pushtetin qendror dhe vendor, për t’i dhënë fund kaosit dhe ndotjes mjedisore nga mbeturinat. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se në Durrës, gjatë vitit 2014, do të pilotohet i gjithë zinxhiri i ndarjes së mbetjeve në burim e deri tek riciklimi i tyre.

“Do të jetë një projekt-pilot në Durrës për të bërë ndarjet në burim. Do të ndajmë në burim ato produkte që riciklohen si plastika, alumini apo edhe qelqi. Produktet e tjera që kanë edhe pjesën më të madhe përfundojnë në një shesh depozitimi në shumë raste apo në landfill. Shumë komuna i depozitojnë në afërsi të shtretërve të lumenjve duke ndotur lumin dhe detin”, shpjegon ministri Koka.

Një pjesë e madhe e landfilleve nuk funksionojnë pasi nuk arrin të mblidhet taksa e pastrimit. Kreu i mjedisit do të propozojë që komunave t’u jepet një grant i kushtëzuar vetëm për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tyre.

Gjatë 20 viteve të fundit, pyjet në zonat e mbrojtura janë shfrytëzuar në mënyrë të pandërprerë dhe pa asnjë kriter. Përveç ndërprerjes së lejeve për shfrytëzim të qymyrit të drurit dhe lëndës drusore, Ministria e Mjedisit ka si prioritet ripyllëzimin e zonës së Lurës, plazhit të Currilave dhe pjesën e gjelbër përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.

“Ministria e Mjedisit ka evidentuar rreth 500 ndërtime që ndodhen në të gjitha parqet komnëtare. Shumë shpejt, në bashkëpunim me INUK-un do të mundemi t’i largojmë këto objekte të paligjshme, por nuk përfundon këtu. Qëllimi ynë kryesor është të shtojmë sipërfaqet e parqeve kombëtare”, shtoi Lefter Koka.

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga bizneset që kanë kosto mjedisore që duhet të kompesojnë me gjelbërim në një tjetër zonë do të mblidhen për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lurës.

Top Channel