Policia e Shtetit ka angazhaur të gjitha forcat për garantimin e rendit dhe qetësisë publike në prag të Vitit të Ri, gjatë natës së ndërrimit të viteve, si edhe në ditët e para të 2014-s.

Cdo punonjësi policie do t’i shtohet puna me katër orë, pas një urdhëri të dhënë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Shërbimet e policisë kanë filluar të operojnë me shtim forcash që pas Krishtlindjeve. Patrullat dyshe kanë filluar shërbimet në të gjitha segmentet rrugore.

Sipas uniformave blu, kryesisht në kryeqytet, nuk do të ketë asnjë segment pa patur patrullë policie për të ndërhyrë me shpejtësi në momentin e kryerjes së ndonjë vepre penale. Ndërkohë që policia i ka ftuar qytetarët që për çdo shqetësim të mundshëm të lajmërojnë në numrin e saj pa pagesë 129.

Në patrullim do të jenë edhe të gjitha forcat e policisë kriminale që do t’i shërbejnë parandalimit të mundshëm të veprave penale apo të çfarëdolloj ngjarjeje. Të gjithë këtyre forcave do t’i bashkohen edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë që do të jenë në gadishmëri të plotë për ndërhyrje.

Të paktën 90% e Policisë se Shtetit do jetë në detyrë 24 orë deri në ditët e para të vitit të ardhshëm.

Sigurim të plotë dhe të shtuar me punonjës policie do të kenë edhe qendrat tregtare, rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve. Ndërkohë që në kryeqytet, masa janë marrë për ambasadat dhe rezidencat e tyre, spitalet, përfshirë këtu edhe objektet e rëndësisë së veçantë. Në vazhdën e këtyre masave, policia do të kryejë edhe kontrolle fizike ndaj qytetarëve, ndaj kërkon bashkëpunim që të mos kundërshtohen punonjësit e policisë.

Përsa i përket sigurisë në rrugë, efektivi i qarkullimit rrugor sidomos në kryeqytet do të jetë i tëri në detyrë. Gjithashtu, policia, duke u nisur edhe nga përvoja dhe nga analiza e viteve të kaluara, kërkon kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarreve.

Top Channel