Arrest me burg për Fatos Skejën

26/12/2013 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë arrest me burg për ish-gardistin Fatos Skeja, i cili akuzohet për gjobvënie ndaj një biznesmeni.

Policia e Tiranës arrestoi gjatë mesditës të së martës ish-gardistin Fatos Skeja dhe bashkëpunëtorin e tij Gojart Loçi nën akuzën e gjobvënies.

Të dy personat ishin shoqëruar më parë në muajin gusht për këtë cështje, por për ta ishte vendosur hetimi në gjendje të lirë për këtë vepër penale.

Pasi policia ka arritur të gjejë prova për dy të akuzuarit ka kryer edhe arrestimet. Denoncimi në gusht kishte ardhur nga një biznesmen i cili i tha policisë se e kishin kërcënuar me jetë atë dhe familjen e tij.

Shuma që ishte kanosur biznesmeni ishte 100 mijë dollarë. Kërcënimi ishte bërë në telefon, por pavarësisht kësaj hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dolën në përfundim se kanosja vinte pikërisht prej dy të arrestuareve.

Ish-efektivi i Gardës së Republikës Fatos Skeja është i njohur për publikun pas denoncimit të bërë prej vëllezërve të Hekuran Dedës të vrarë më 21 janar.

Vëllezërit Deda e paditën Skejen, pasi sipas tyre, ai u kishte ofruar në këmbim të parave dhe të emrit të gardistit që u vrau vëllanë të prisnin në shtëpinë e tyre për vizite ngushëllimi ish-kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha.

Top Channel